
Një moment i kapur nga kamerat në Oscars 2026 mes Timothée Chalamet dhe Kylie Jenner po bën xhiron e rrjeteve, pasi një lexues buzësh pretendon se ka zbërthyer bisedën e tyre.
Sipas videos që ka qarkulluar online dhe është marrë nga E! News, aktori thuhet se i ka thënë Kylie-t: “E urrej këtë.” Lip reader Nicola Hickling ka deklaruar për Daily Mail se Jenner i është përgjigjur: “Jemi mirë, OK?”. Chalamet më pas dyshohet se ka pohuar: “Po”, ndërsa ajo vazhdon: “Shpresoj.”
Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje është fjalia që, sipas të njëjtës burim, aktori 30-vjeçar e ka shtuar më pas: “Sonte më duhet një përqafim i madh.”
Biseda mendohet të ketë ndodhur pak para se Chalamet të humbiste çmimin “Aktori më i mirë”, që këtë vit shkoi për Michael B. Jordan (“Sinners”). Në garë ishin edhe Leonardo DiCaprio, Wagner Moura dhe Ethan Hawke.
Pavarësisht humbjes, Chalamet u pa më vonë në Vanity Fair Oscars Party 2026 krah Kylie Jenner, ku çifti u shfaq më i afërt se kurrë, me një atmosferë të qetë dhe me shumë përkëdheli.
Ndërkohë, fushata e tij për Oscars këtë sezon u shoqërua edhe me debatet rreth deklaratave të tij për baletin dhe operën, komente që u kthyen në virale dhe u përmendën madje edhe në monologun e hapjes nga prezantuesi Conan O’Brien.
