
Prej vitesh flitet për idenë që është mirë të mos hash shumë afër orës së gjumit. Ekspertët thonë se kjo mund të ndihmojë me një gjumë më cilësor, të ulë rrezikun e refluksit dhe madje të mbështesë edhe rënien në peshë. Tani, një studim i ri shton edhe një përfitim të mundshëm: mund të jetë i dobishëm edhe për zemrën.
Çfarë gjeti studimi
Në një studim të fokusuar te mirëqenia fizike, shkencëtarët ndoqën 39 persona me mbipeshë ose obezitet, të moshës 36–75 vjeç, për 7 javë.
Një grup bëri agjërim nate 13–16 orë, ndërsa grupi tjetër ndoqi një “agjërim të zakonshëm” prej 11–13 orësh. Të dy grupet, njëkohësisht, ulën ndriçimin tri orë para se të flinin.
Sipas studiueses Phyllis Zee, drejtoreshë e Qendrës së Mjekësisë së Ritmeve Cirkadiane dhe Gjumit dhe shefe e divizionit të mjekësisë së gjumit në Feinberg School of Medicine, grupi që agjëroi më gjatë gjatë natës dhe, në praktikë, ndaloi së ngrëni të paktën 3 orë para gjumit, pa disa përfitime të dukshme.
Përfitimet kur ndalon së ngrëni para gjumit
Grupi që nuk hëngri për 3 orë para gjumit pa:
-ulje të presionit të gjakut gjatë natës me 3.5%
-ulje të rrahjeve të zemrës me 5%
Ky njihet si nocturnal dipping dhe konsiderohet një model i shëndetshëm. Sipas Zee, kur ky ulje nuk ndodh, kjo mund të lidhet me rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare.
Jo vetëm kaq: pjesëmarrësit që ndaluan së ngrëni 3 orë para gjumit treguan edhe rregullim më të mirë të glicemisë dhe ndjeshmëri më të lartë ndaj insulinës pas një testi me glukozë.
Studiuesit e shohin këtë si një strategji të thjeshtë “ushqyerjeje me kohë të kufizuar” e sinkronizuar me ritmin gjumë-zgjim, që mund të ndihmojë shëndetin kardiometabolik. Interesante është se përmirësimet u panë pa ulur domosdoshmërisht kaloritë.
Pse ka rëndësi koha kur ha në mbrëmje
Ideja që nuk duhet të hash shumë vonë nuk është e re. Sipas dietologes Sonya Angelone, një vakt, sidomos i bollshëm, pak para gjumit mund ta prishë gjumin, sepse trupi gjatë natës është i orientuar drejt pushimit, jo tretjes.
Edhe dietologia Jessica Cording vë në dukje se një vakt i rëndë mund të rrisë përkohësisht presionin e gjakut dhe të prishë gjumin. Për më tepër, trupi mund të “aktivizohet” për të tretur ushqimin, duke rritur gliceminë dhe duke krijuar një ndjesi vigjilence ose ankthi, gjë që nuk është ideale para se të flesh.
Ritmi biologjik dhe melatonina
Sipas Zee, melatonina, hormoni i gjumit, rritet rreth 2–3 orë para gjumit dhe ndikon edhe te funksionet kardiovaskulare. Prandaj, të ndalosh së ngrëni rreth tre orë para gjumit ndihmon që trupi të ndjekë më mirë ritmin e tij biologjik.
Pse gjumi i mirë lidhet me shëndetin
Gjumi cilësor është një nga gjërat më të forta që i bën mirë shëndetit. Mungesa e gjumit lidhet me nivel më të lartë të sheqerit në gjak dhe me rregullim më të dobët të glicemisë pas vakteve. Gjumi i keq shoqërohet gjithashtu me hipertension, diabet tip 2, sëmundje të zemrës dhe madje edhe depresion.
