Sa herë e kemi parë veten në pasqyrë dhe kemi menduar: “Po sikur hunda ime të dukej pak më e rregullt?” Është normale. Hunda është në qendër të fytyrës dhe ndikon direkt te balanca e gjithë tipareve: edhe një ndryshim i vogël mund ta ndryshojë mënyrën si e perceptojmë veten.

Lajmi i mirë është se nuk është e domosdoshme të shkosh në kirurgji për ta përmirësuar pamjen e hundës. Sot ekzistojnë disa mënyra të thjeshta, shpesh të menjëhershme, nga truket e make-up-it te stilimi i flokëve, e deri te trajtime estetike jo-invazive që e “riformojnë” përkohësisht.

Një detaj që shpesh e harrojmë: ndonjëherë ajo që ne e quajmë “hundë e madhe” nuk është problem i hundës, por i ekuilibrit të fytyrës. Sytë, vetullat, frizura, volumi i flokëve – të gjitha ndikojnë në proporcione. Kur këto elemente punojnë bashkë, hunda duket automatikisht më e gjatë, më e hollë ose më e përpjesëtuar, pa ndryshuar asgjë fizikisht.

Ja 4 truqe që funksionojnë pikërisht kështu: 

1) Konturi i hundës
Një nga truqet më efektive të make-up artistëve është contouring-u. Parimi është i thjeshtë: krijon hije dhe dritë për të bërë një iluzion optik që e bën hundën të duket më e hollë, më e drejtë, ose më e definuar.

Si bëhet:

vendos një nuancë pak më të errët në anët e hundës (në krahët e “dorsumit”)
sfumo shumë mirë, pa lënë vija të forta
vendos pak highlighter në mes, për ta kapur dritën dhe për t’i dhënë dimension
Sot konturi preferohet shumë më natyral se dikur. Qëllimi nuk është të bësh kontraste të forta, por ta “skulpturosh” fytyrën me delikatesë. Fjala kyçe: sfumim i pastër.


2) Vetulla dhe make-up-i i syve
Mund të të duket e çuditshme, por edhe truku i syve ndikon te mënyra si e shohim hundën. Vetulla të rregullta, të balancuara dhe të përshtatura me fytyrën krijojnë një kornizë harmonike për pjesën qendrore.

Ndërkohë, kur sytë janë të theksuar bukur (eyeliner i pastër, hije të sfumuara mirë, qerpikë të gjatë dhe të definuar), vëmendja shkon natyrshëm te shikimi. Rezultati? Fytryra duket më e balancuar dhe hunda “humb” protagonizmin.

3) Modeli i flokëve që balancon proporcione
Edhe flokët janë një aleat shumë i fortë për t’i bërë tiparet më harmonike. Disa prerje dhe stilime e balancojnë fytyrën në mënyrë të tillë që hunda të duket më pak “në qendër”.

Zgjedhje që funksionojnë shpesh:

balluke të lehta ose balluke “curtain bangs”, që e zbusin zonën qendrore të fytyrës
shkallëzim rreth fytyrës, që krijon lëvizje dhe e balancon profili
volum anash, që shpërndan më mirë volumin e fytyrës
Ideja është të krijosh një kompozim ku çdo element “flet” me tjetrin.

4) Trajtime estetike jo-invazive
Nëse kërkon një rezultat më të qëndrueshëm (por pa bisturi), sot ekzistojnë trajtime minimisht invazive, ku një nga më të kërkuarat është riformimi i hundës me acid hialuronik (rinofiller).

Çfarë mund të bëjë:

të korrigjojë parregullsi të vogla
të ngrejë pak majën
të “maskojë” një gungë të lehtë në pjesën e sipërme
Zakonisht zgjat pak minuta, rezultati shihet menjëherë dhe mund të zgjasë nga disa muaj deri në më shumë se një vit, varësisht nga produkti dhe karakteristikat personale.

Çelësi i bukurisë sot: të theksosh, jo të transformosh
Një hundë më harmonike nuk do të thotë domosdoshmërisht të ndryshosh komplet fytyrën. Shpesh mjafton të luash me detaje të vogla që krijojnë ndryshim të madh: një contouring i lehtë, një frizurë që kornizon fytyrën, ose një trajtim i targetuar.

Sepse bukuria moderne nuk flet më vetëm për transformime të forta, por për njohje të tipareve të tua dhe ato “sekrete të vogla” që të bëjnë të ndihesh rehat në lëkurën tënde.