
Trajtimet gjithnjë e më të avancuara të mjekësisë dhe kirurgjisë estetike po ndryshojnë jo vetëm tiparet tona, por edhe mënyrën si njeriu e percepton trupin e vet dhe, rrjedhimisht, veten. Ky është një nga mesazhet qendrore të një dokumenti të ri të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, organ që e këshillon Papën për çështje doktrinare, i miratuar për botim nga Papa Leone XIV.
Siç raporton Reuters, teksti me titull 'Quo vadis, humanitas?' (Reflektime mbi antropologjinë e krishterë përballë disa skenarëve të ardhshëm të njerëzimit) trajton raportin mes teknologjisë, identitetit njerëzor dhe trupit, duke i kushtuar një pjesë të veçantë fenomenit të kirurgjisë estetike, sot gjithnjë e më e përhapur, jo vetëm mes yjeve të mëdhenj.
Në dokumentin e miratuar në fillim të marsit theksohet se “përparimet e kirurgjisë estetike ofrojnë mjete që e ndryshojnë në mënyrë domethënëse raportin me trupin”. Sipas teologëve të Vatikanit, kjo prirje mund të ushqejë një rrëshqitje kulturore gjithnjë e më të dukshme, një “kult të trupit” që synon një kërkim të etshëm të figurës perfekte, gjithmonë në formë, të re dhe të bukur.
Kisha Katolike nuk synon ta ndalojë kirurgjinë estetike në mënyrë absolute. Megjithatë, dokumenti kujton se, në vizionin e krishterë, trupi njerëzor ka dinjitet të brendshëm sepse është krijuar “sipas shëmbëlltyrës së Zotit”. Ndërhyrja në pamje nuk është, pra, automatikisht problematike, por bëhet e diskutueshme kur buron vetëm nga dëshira për t’u përshtatur me modele estetike joreale, ose kur vjen si pasojë e presioneve shoqërore dhe kulturore.
Dokumenti paralajmëron pikërisht këtë dinamikë, duke nënvizuar se mundësia teknike për ta “modifikuar” trupin mund të nxisë një marrëdhënie gjithnjë e më instrumentale me fizikun, sikur trupi të ishte një objekt që modelohet sipas modës dhe vanitetit.
Këtu lind ajo që autorët e quajnë një paradoks tipik i kulturës bashkëkohore: krijohet një situatë e çuditshme ku trupi ideal lartësohet, ndërsa trupi real nuk dashurohet vërtet, sepse ai sjell kufij, lodhje dhe plakje.
