Në një botë ku it-bag-et zakonisht kanë çmime që të lënë pa fjalë, ekziston një “përjashtim” i rrallë: një çantë e thjeshtë, prej pëlhure super rezistente, që prej dekadash fotografohet në krahun e grave më me stil në Hollywood. Dhe jo, nuk është nga ndonjë maison franceze apo italiane. Firmoset nga L.L. Bean.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by FROM THE PAST (@fromthepast)

Bëhet fjalë për Boat and Tote, çanta që është parë te emra si Alexa Chung, Chloë Sevigny dhe Katie Holmes, por lista shkon edhe më larg. Madje edhe Carolyn Bessette e përdorte në pushimet me varkë në Massachusetts, aty ku familja Kennedy kishte kompleksin e famshëm të Hyannis Port. Pjesa më interesante? Pas 82 vitesh nga krijimi, dizajni pothuajse nuk ka ndryshuar fare.

L.L. Bean u themelua në Maine në vitin 1912 nga Leon Leonwood Bean, por çanta u lançua në 1944 me emrin Ice Carrier. Në fillim ishte një mjet praktik për të transportuar akull, ushqime dhe dru. Ishte bërë me një pëlhurë të aftë të mbante peshë të madhe, falë qepjeve të forta dhe fundit të përforcuar.

Versioni i parë ishte bezhë, minimalist dhe i suksesshëm pikërisht sepse ishte i fortë dhe i gjithanshëm. Në 1965 vjen “upgrade” që e ktheu në ikonë: një restyling me frymë detare dhe dorezat blu (sot të disponueshme në 11 ngjyra). Ky detaj e bëri aksesorin “uniformë” të country club-eve të New England, aty ku stili preppy ishte pothuaj fe. Por sharmi i saj nuk mbeti aty: kaloi përtej këtij universi dhe përfundoi në Hollywood.

Me kalimin e viteve, Boat and Tote u kthye në çantën e preferuar të një liste të pafundme aktorësh, këngëtaresh e modelesh. Shumë prej tyre kanë më shumë se një: e marrin në udhëtime, në palestër, në shëtitje në New York apo Los Angeles. Edhe pse casual, vit pas viti mori një lloj elegance të qetë, atë chic-un që nuk bërtet.

Ndihmon edhe fakti që vjen në shumë përmasa, nga mini te XL, dhe mund të personalizohet. Ndërkohë çmimi nuk “u çmend” me famën: zakonisht lëviz rreth 40–67 euro, me versionin më të madh që shkon deri në 67. Pra, për një herë, për të kopjuar stilin e një ylli nuk ke nevojë të shesësh “gardërobën” me më pak se 100 euro ke një aksesor që është edhe copëz historie amerikane.

Kjo tote ultra-klasike, megjithëse “mbi të 80-at”, kohët e fundit u kthye virale falë Gen Z, që i dha një twist ironik: filluan të qëndisin fraza si “Expensive” ose “Not Hermès”. Këto versione shfaqen shpesh në Instagram-in Iconic Boat And Tote, që menaxhohet nga Gracie Wiener, një koleksioniste e modelit, e cila është intervistuar edhe nga New York Times. Ideja: një aksesor i lidhur me një stil pak konservator, papritur ndryshoi humor dhe u bë i pacipë, cool dhe i gjallë.

Edhe idhujt e brezit të ri e adoptuan. Për shembull, Hailey Bieber e ka personalizuar me një qëndisje me “emrin e saj si e martuar”.

Elegant dhe pa kohë, rezistent dhe praktik, mund ta mbash kudo, pa frikën se “po e prish”, pa e ruajtur vetëm për evente. Nuk është çantë atelier-i, por pikërisht për këtë arsye është e veshshme çdo ditë. Dhe me personalizimin, secili e bën të vetën: një Boat and Tote unike, që shpreh stilin tënd, jo thjesht trendin e radhës.