Sharon Stone ka folur hapur për një nga kapitujt më të vështirë të jetës së saj: përpjekjen e gjatë për të pasur një shtatzëni dhe dhimbjen e përsëritur të humbjeve, deri te vendimi për të adoptuar tre fëmijë. Në një intervistë për Paris Match, aktorja amerikane (e lindur në vitin 1958) shpjegoi se arsyeja lidhej me faktorin Rh, një veçori gjenetike që, siç tha vetë, e kanë edhe vëllezërit e motrat e saj.

“Kam pasur nëntë aborte spontane. Dhe pesë prej tyre kanë ndodhur në muajin e pestë të shtatzënisë”, rrëfeu ajo. Më pas, Stone ndaloi te një tjetër pikë e dhimbshme: fakti që ende sot, shumë gra nuk e kanë hapësirën (apo guximin) ta thonë këtë lloj dhimbjeje me zë. “Na bëjnë të kuptojmë se është diçka që duhet ta jetojmë vetëm dhe në fshehtësi, sikur të ishte një dështim”, theksoi ajo.

Në fund, Sharon Stone zgjodhi rrugën e adoptimit, dhe sot është nënë e tre djemve: Roan, Laird dhe Quinn.

Çfarë është faktori Rh dhe pse mund të komplikojë shtatzëninë?
Faktori Rh është një karakteristikë e gjakut: disa njerëz janë Rh pozitiv, të tjerë Rh negativ. Problemi mund të shfaqet gjatë shtatzënisë kur:

nëna ka Rh negativ
babai është Rh pozitiv
dhe fetusi rezulton Rh pozitiv
Në këto kushte, trupi i nënës mund të zhvillojë një përgjigje imunitare, pra të prodhojë antitrupa anti-D kundër rruazave të kuqe të fetusit. Këta antitrupa mund t’i sulmojnë dhe t’i shkatërrojnë rruazat e kuqe të gjakut të fetusit, duke çuar në anemi (e njohur si sëmundja hemolitike e fetusit). Në rastet më të rënda, kjo gjendje mund të shkaktojë edhe vdekje brenda mitrës.

Si parandalohet zakonisht?
Parandalimi bëhet me atë që quhet imunoprofilaksi anti-D: administrimi, përmes një injeksioni intramuskular, i imunoglobulinave njerëzore anti-D te gratë Rh negative, me qëllim që të mos formohen antitrupat që mund të dëmtojnë fetus-in.

Kjo profilaksi këshillohet shpesh në tremujorin e tretë, sepse në këtë periudhë mund të ndodhin më lehtë mikro-hemorragji të padukshme përmes placentës, ku gjaku i nënës dhe i fetusit mund të vijnë në kontakt pa shenja të dukshme klinike.