Pas muajsh hamendësimesh, nënkuptimesh dhe pyetjesh të pambyllura në rrjet, ka ardhur më në fund edhe fjala e tij. Xhonatan Islami ka vendosur të flasë për herë të parë publikisht për ndarjen nga Roza Lati, duke i dhënë fund një prej historive që prej kohësh ushqente kureshtjen e publikut.

I ftuar në një emision televiziv, ai e ka trajtuar gjithçka si një kapitull që tashmë i përket së shkuarës.

Xhonatani ka konfirmuar se prej disa muajsh ai dhe Roza nuk janë më bashkë, ndërsa është shprehur se sot ndodhet mirë me veten dhe në paqe me statusin e tij si beqar. Në fjalët e tij nuk kishte as thumb, as tension, por vetëm një distancë e qetë prej një historie që duket se është mbyllur pa zhurmë.

“Jam i lumtur single, Rozës i uroj më të mirat”, është shprehur ai, duke lënë të kuptohet se mes tyre nuk ka mbetur vend për polemika publike, por vetëm respekti formal që u mbetet shpesh marrëdhënieve që kanë përfunduar.

Më tej, ai ka zbuluar se lidhja e tyre kishte zgjatur rreth një vit dhe se ndarja kishte ndodhur 3 deri në 4 muaj më parë. Një mënyrë e drejtpërdrejtë për ta vendosur pikën mbi të gjitha aludimet që kishin nisur të qarkullonin në rrjete, sidomos pas mungesës së tyre të përbashkët në publik.

“Kishim kohë bashkë, zgjati një vit. Ishte një marrëdhënie publike, tani është një kapitull i mbyllur në jetën time. Kemi 3-4 muaj që e kemi mbyllur. I uroj gjithë të mirat, jam i sigurt që edhe ajo më uron gjithë të mirat”, u shpreh ai.

Historia e tyre kishte nisur gjatë verës dhe shumë shpejt u kthye në një nga lidhjet më të komentuara të showbiz-it shqiptar. Daljet publike, postimet e përbashkëta dhe vëmendja që morën si çift i bënë menjëherë pjesë të asaj kategorie marrëdhëniesh që publiku i ndjek me interes, por edhe i analizon në detaj.

Tani, me këtë deklaratë, duket se Xhonatani ka zgjedhur të mbyllë çdo hapësirë për interpretim. Pa bujë, pa rrëfime të gjata, pa ekspozuar më shumë seç duhet. Dhe ndoshta kjo është edhe pjesa më domethënëse e gjithë kësaj historie: ndarjet në showbiz nuk bëjnë gjithmonë zhurmë kur ndodhin, por bëhen lajm në momentin kur njëri vendos më në fund të flasë.