Mbrëmjen e kësaj të premteje, në orën 21:00, starton zyrtarisht “Ferma VIP 3”, dhe një nga emrat që ka ngjallur menjëherë kuriozitet është ai i Ermal Mamaqit, i cili këtë sezon vjen në rolin e opinionistit. 

Në një intervistë të dhënë për emisionin “Mes Dritë”, Ermali ka folur për raportin e hershëm me Arbana Osmanin, moderatoren e këtij sezoni të “Ferma VIP”. Të dy sot rikthehen në të njëjtin format, por duket se historia e tyre profesionale ka nisur shumë ndryshe nga sa mund të mendohej.

“Hera e parë që kam punuar në televizion ka qenë pikërisht me Arbanën në vitin 2003. Atëherë e urrenim njëri-tjetrin, mendonim si ta vrisnim njëri-tjetrin çdo mëngjes. Por me pjekurinë, fillon e vlerëson kolegun për të mirat që ka.”

Një deklaratë e fortë, e thënë me gjuhën e tij tipike, mes ironisë dhe sinqeritetit brutal, që natyrisht nuk mund të kalonte pa u komentuar. Sepse kur dy emra kaq të njohur të ekranit shqiptar ndajnë një të shkuar me përplasje, publiku menjëherë ndalet te ky detaj. E megjithatë, në të njëjtën fjali, Ermali jep edhe anën tjetër të historisë: kohën, pjekurinë dhe respektin që vjen më vonë, kur i sheh gjërat me një sy tjetër.

Në intervistë ai ka ndarë edhe reagimin e bashkëshortes së tij, Amit, lidhur me këtë eksperiencë të re. Dhe edhe këtu nuk mungon nota e humorit që e karakterizon.

“Në fillim i thash që do hy si fermer. Më tha je çmendur. Më pas kur i thash për opinionistin i pëlqeu dhe më ka mbështetur, vetëm se nuk ka besim te proçkat e mia, që i bëj me humor.”