
Kim Kardashian dhe Ray J thuhet se kanë arritur një marrëveshje sekrete në vitin 2023 lidhur me videon e tyre intime të vitit 2007, një nga skandalet më të përfolura të showbizit.
Sipas dokumenteve të siguruara nga TMZ, marrëveshja është firmosur jo vetëm nga vetë dy protagonistët, por edhe nga nënat e tyre, Kris Jenner dhe Sonja Norwood. Bëhet fjalë për të njëjtën marrëveshje që Ray J pretendon se është shkelur nga Kardashian dhe Jenner, pasi ai i paditi në nëntor 2025 për diskutimet rreth videos në reality show-n e Hulu “The Kardashians”.
Sipas raportimeve, këngëtari është paguar rreth 6 milionë dollarë për të nënshkruar këtë marrëveshje. Dokumenti, i titulluar “Marrëveshje Konfidenciale dhe Heqje Dorë e Përgjithshme Reciproke”, parashikon që palët të mbyllin çdo pretendim të kaluar dhe të ardhshëm, çdo mosmarrëveshje dhe çdo kërkesë ligjore që lidhet me videon intime.
Një tjetër pikë e rëndësishme e marrëveshjes është ndalimi për të dëmtuar imazhin e njëri tjetrit. Katër personat janë angazhuar të mos cënojnë karakterin, reputacionin, integritetin apo aktivitetin profesional të palës tjetër.
Po ashtu, marrëveshja përfshin edhe një klauzolë që mbron kompanitë Disney dhe Hulu nga çdo përgjegjësi ligjore, duke qenë se Disney është pronare e platformës ku transmetohet “The Kardashians”.
Megjithatë, përplasja mes palëve nuk ka përfunduar. Në padinë e tij, Ray J ka pretenduar se Kardashian dhe Jenner janë përgjegjëset për publikimin e videos në vitin 2007, një akuzë që ai e ka bërë publike edhe më herët, në vitin 2022.
Ai gjithashtu ka deklaruar se marrëveshja e vitit 2023 është shkelur, pasi videoja është përmendur në emisionin e Hulu pothuajse menjëherë pas nënshkrimit të saj. Sipas dokumenteve gjyqësore, në diskutime kanë qenë përfshirë edhe Kanye West dhe Kendall Jenner.
Avokati i Ray J ka theksuar në padi se klienti i tij nuk do të lejojë që sistemi gjyqësor të përdoret kundër tij apo që të sakrifikohet për hir të famës.
Nga ana tjetër, Kim Kardashian dhe Kris Jenner e kanë paditur këngëtarin në tetor 2025 për shpifje, pasi ai pretendoi se po bashkëpunonte me autoritetet federale për ndërtimin e një çështjeje ligjore kundër tyre. Në dokumentet zyrtare, ato kanë deklaruar se një hetim i tillë nuk ekziston.
Në një tjetër deklaratë gjyqësore të paraqitur në mars 2026, Kardashian dhe Jenner kanë mohuar kategorikisht se kanë organizuar publikimin e videos intime.
Kris Jenner e ka cilësuar akuzën si thellësisht ofenduese dhe të dëmshme, duke shtuar se si nënë ishte e shkatërruar kur pa momentet më private të vajzës së saj të bëheshin publike.
Ndërsa Kim Kardashian ka deklaruar se ka shpenzuar para për të përballuar pretendimet e Ray J, përfshirë terapi dhe këshillim profesional në aspektin ligjor dhe komunikues.
Nga ana e tij, Ray J ka reaguar duke thënë se ish-partnerja dhe nëna e saj “kanë gënjyer për gjithçka”, duke ngritur edhe pikëpyetje mbi pasojat ligjore të deklarimeve të tyre.
Kujtojmë se Kim Kardashian dhe Ray J kanë qenë në një lidhje me ndërprerje nga viti 2003 deri në 2006, ndërsa videoja intime u publikua një vit pas ndarjes së tyre.
