Celine Dion ka njoftuar se do të rikthehet në skenë me 10 shfaqje “të paharrueshme” në Paris, ndërsa vazhdon të përballet me 'sindromën e personit të ngurtë'.

Këngëtarja e njohur bëri të ditur lajmin përmes një videoje të publikuar në YouTube të hënën, ku tha se gjendja e saj shëndetësore po menaxhohet mirë.

“Doja t’ju bëja me dije se jam shumë mirë, po e menaxhoj shëndetin tim”, u shpreh interpretuesja e këngës “My Heart Will Go On”.

Ajo shtoi se ndihet mirë, se ka nisur sërish të këndojë dhe madje po bën edhe pak kërcim, diçka që, siç tha vetë, e do shumë. Por krahas kësaj, kishte edhe një njoftim të rëndësishëm për fansat.

Artistja 58-vjeçare u shpreh mirënjohëse për publikun e saj, duke theksuar se gjatë viteve të fundit ka ndier lutjet dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme.

Fituesja e pesë çmimeve Grammy, e cila njëkohësisht po festonte edhe 58-vjetorin, tha se po merrte “dhuratën më të bukur të ditëlindjes” së jetës së saj.

“Po më jepet mundësia t’ju shoh, të performoj përsëri për ju në Paris, duke nisur nga shtatori”, tha ajo. “Jam shumë gati për ta bërë këtë.”

Celine Dion u shpreh se ndihet mirë, e fortë, e emocionuar dhe paksa nervoze, por mbi të gjitha mirënjohëse ndaj të gjithëve. Ajo shtoi se mezi pret të takohet sërish me publikun e saj.

Biletat në para-shitje për koncertet e saj në Paris La Défense Arena do të dalin në treg më 7 prill.

Këngëtarja e hitit “I’m Alive” do të ngjitet në skenë për 10 net, mes 17 shtatorit dhe 14 tetorit.

Celine Dion bëri të ditur në vitin 2022 se ishte diagnostikuar me sindromën e personit të ngurtë, pasi u detyrua të anulonte disa koncerte.

Në atë kohë, ajo ndau me publikun një video emocionale, ku rrëfeu se kishte kohë që përballej me probleme shëndetësore dhe se për të kishte qenë shumë e vështirë si t’i përballonte këto sfida, ashtu edhe të fliste për gjithçka po kalonte.

Sipas Johns Hopkins Medicine, kjo sindromë është një çrregullim i rrallë neurologjik autoimun, që më së shumti shkakton ngurtësi muskulore dhe spazma të dhimbshme që shfaqen herë pas here dhe mund të përkeqësohen me kalimin e kohës.

Dy vite pas diagnozës, Celine Dion u rikthye në skenë me interpretimin e “Hymne À L’Amour” të Édith Piaf në Lojërat Olimpike të Parisit 2024.

Në nëntor të atij viti, ikona e muzikës interpretoi edhe këngën e saj të vitit 1993 “The Power of Love” dhe hitin e vitit 2002 “I’m Alive” në sfilatën e modës “1001 Seasons of Elie Saab” në Arabinë Saudite.

Po ashtu, në nëntor 2025, ajo u shfaq optimiste dhe plot energji në një mesazh urimi për Ditën e Falënderimeve, ku foli për mirënjohjen dhe falënderoi fansat e saj.