
Selena Gomez vazhdon të flasë hapur për shëndetin mendor, pasi u diagnostikua me çrregullim bipolar në vitin 2020. Këngëtarja dhe aktorja e bëri publik lajmin gjatë një bisede live në Instagram me Miley Cyrus, duke e përshkruar këtë moment si një lehtësim, por edhe si një rrugëtim të vështirë.
Në një episod të fundit të podcastit “Friends Keep Secrets”, ajo ndau më shumë detaje për procesin e diagnostikimit. Sipas saj, e kuptonte që diçka nuk shkonte, por për një kohë të gjatë ishte keqdiagnostikuar dhe kishte provuar disa terapistë përpara se të merrte përgjigjen e saktë.
“E dija që diçka nuk ishte në rregull, por mendoj se isha keqdiagnostikuar”, u shpreh ajo, duke theksuar sa kompleks është ky proces dhe sa e rëndësishme është të mos dorëzohesh në kërkimin e ndihmës së duhur.
Gomez tregoi se ka kaluar edhe në disa programe rehabilitimi, të cilat e kanë ndihmuar të kuptojë më mirë gjendjen e saj. Bashkëshorti i saj, Benny Blanco, zbuloi se ndonjëherë ajo përjeton episode maniake pa e kuptuar menjëherë.
“Ajo e kupton që po kalon një episod pasi ka nisur, dhe ndonjëherë as nuk e mban mend”, tha ai, duke shtuar se është e vështirë të flasësh me dikë gjatë një episodi të tillë.
Megjithatë, vetë Gomez thekson se është bërë më e vetëdijshme për këto momente. “Jam krenare që mund të them se kam episode maniake, por nuk kam turp, sepse tani arrij t’i dalloj më shpejt”, tha ajo.
Ajo vlerëson shumë edhe rolin e partnerit në këtë proces, duke theksuar se është e rëndësishme të kesh pranë dikë që të kupton dhe të mbështet.
Që pas diagnozës, Gomez thotë se jeton më lirshëm dhe me më shumë qartësi për veten. Ajo kritikoi stigmatizimin që shpesh shoqëron terapinë dhe shëndetin mendor, duke theksuar se jo çdo gjë është për të gjithë, por për të ka qenë një hap thelbësor për të kuptuar veten.
“Do veproja nga frika, nga dashuria, nga pasioni, gjithçka ishte e paqëndrueshme”, rrëfeu ajo.
Në fund, ajo inkurajoi të tjerët që të kërkojnë ndihmë dhe informacion, duke theksuar se një diagnozë nuk të përcakton si njeri.
Çrregullimi bipolar është një çrregullim neurologjik dhe psikologjik që karakterizohet nga luhatje të forta të humorit, nga periudha me energji të lartë dhe eufori, të njohura si mania, deri te faza depresive. Sipas të dhënave, rreth 2.8% e të rriturve përjetojnë këtë gjendje çdo vit, ndërsa 4.4% gjatë jetës së tyre.
Ekspertët rekomandojnë që kush përjeton simptoma të tilla të kërkojë ndihmë profesionale, pasi diagnoza dhe trajtimi i duhur janë thelbësore për menaxhimin e gjendjes.
