
Sardelet janë bërë një nga ushqimet më të përfolura kohët e fundit, sidomos për vlerat e tyre ushqyese. Ato bëjnë pjesë në grupin SMASH, që përfshin sardele, skumbri, açuge, salmon dhe harengë — të gjitha të pasura me omega-3.
Këto acide yndyrore ndihmojnë në uljen e inflamacionit, përmirësojnë shëndetin e zemrës, mbështesin funksionin e trurit dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe te lëkura. Ato forcojnë barrierën e saj dhe reduktojnë humbjen e lagështisë.
Sardelet janë gjithashtu shumë të pasura me proteina cilësore, kalcium (sidomos nga kockat e vogla që konsumohen bashkë me to), vitaminë D dhe selen.
Por nëse nuk i duron fare, ka alternativa shumë të mira që japin pothuajse të njëjtat përfitime.
Peshq të tjerë yndyrorë
Nëse sardelet nuk janë për ty, mund të zgjedhësh alternativa si salmoni, skumbri, açuget apo harenga. Edhe këta janë të pasur me omega-3 dhe ndihmojnë në mbajtjen e një balance të shëndetshme të inflamacionit në trup, duke reflektuar direkt në një lëkurë më të pastër dhe më të shëndetshme.
Arrat e Brazilit
Mjaftojnë vetëm 1 deri në 3 arra në ditë për të plotësuar nevojën për selen. Ky është një antioksidant shumë i fuqishëm që ndihmon funksionimin e tiroides, sistemin imunitar dhe mbron qelizat e lëkurës nga dëmtimet.
Stresi oksidativ, që shkaktohet nga një tepricë radikalësh të lirë, mund të dëmtojë qelizat dhe të përkeqësojë pamjen e lëkurës. Ushqimet e pasura me antioksidantë ndihmojnë në balancimin e këtij procesi.
Vezët
Vezët janë një burim i shkëlqyer proteinash dhe përmbajnë vitaminë D, e cila ndihmon në reduktimin e inflamacionit dhe mbështet shëndetin e lëkurës.
Ostricat
Janë shumë të pasura me zink, një mineral thelbësor për rigjenerimin e lëkurës, shërimin e plagëve dhe forcimin e imunitetit. Zinku luan rol kyç në mbajtjen e një lëkure të pastër dhe të shëndetshme.
Vaji i ullirit ekstra i virgjër
Ky vaj është i pasur me yndyra të mira që ndihmojnë në stabilizimin e sheqerit në gjak, faktor që ndikon edhe në shëndetin e lëkurës. Luhatjet e forta të sheqerit mund të lidhen me probleme si aknet.
Gjithashtu përmban vitaminë E, një antioksidant i rëndësishëm që mbron lëkurën dhe ndihmon në ruajtjen e elasticitetit të saj.
Megjithatë, nuk rekomandohet konsumimi i tij në sasi të mëdha si “shot”, por integrimi i rregullt në vakte.
Nuk është e nevojshme të detyrosh veten të hash diçka që nuk të pëlqen. Lëkura nuk ka nevojë për një ushqim specifik, por për një kombinim të zgjuar nutrientësh.
Dhe lajmi i mirë është që ka shumë rrugë për të arritur të njëjtin rezultat.
