
Eurovision do të nisë edicionin e parë në Azi.
Transmetues nga 10 vende të rajonit, përfshirë Korenë e Jugut, Tajlandën dhe Filipinet, kanë konfirmuar se do të marrin pjesë. Sipas faqes së konkursit, e cila liston vendet pjesëmarrëse, pritet që “të shtohen të tjera”.
Këto vende fillimisht do të organizojnë konkurset e tyre kombëtare përpara finales së madhe në Bangkok, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt më 14 nëntor.
I mbajtur për herë të parë në vitin 1956, Eurovision është shndërruar në konkursin ndërkombëtar muzikor me jetëgjatësinë më të madhe në botë.
Me vitin 2026 që shënon 70-vjetorin e tij, “ishte veçanërisht domethënëse të hapnim këtë kapitull të ri me Azinë, një rajon i pasur me kulturë, kreativitet dhe talent”, shpjegoi Martin Green, drejtor i Eurovision Song Contest në EBU.
Kjo nuk është hera e parë që Eurovisioni përpiqet të zgjerohet përtej Europës.
Në vitin 2022, u zhvillua American Song Contest, ku morën pjesë përfaqësues nga të 50 shtetet e SHBA-ve. Megjithatë, ky edicion amerikan, i prezantuar nga Snoop Dogg dhe Kelly Clarkson, pati shikueshmëri të ulët dhe nuk u rikthye për një sezon të dytë.
Duket se organizatorët shpresojnë që një konkurs aziatik të ketë më shumë sukses pasi është një rajon që e do shumë muzikën.
Të ardhurat në rritje, rrjetet sociale në lulëzim dhe të rinjtë që adhurojnë K-popin dhe karaoken kanë nxitur industrinë muzikore të Azisë ndër vite. Shtëpitë diskografike globale kanë investuar gjithashtu, ndërsa është rritur edhe numri i bashkëpunimeve mes artistëve aziatikë dhe emrave perëndimorë.
Deri tani, 10 vendet pjesëmarrëse janë Bangladeshi, Butani, Kamboxhia, Laosi, Malajzia, Nepali, Filipinet, Koreja e Jugut, Tajlanda dhe Vietnami.
Si rregull, këngët e interpretuara në Eurovision duhet të jenë origjinale dhe vokali kryesor të këndohet live. Performuesit më pas vlerësohen nga ekspertë të muzikës dhe fansat.
Nuk është e qartë nëse të njëjtat rregulla do të zbatohen për edicionin aziatik, por faqja e eventit thekson se “çdo votë do të ketë rëndësi” dhe premton se konkursi do të nderojë “muzikën origjinale pop.”
