Emri i Hande Erçel është përfshirë ditët e fundit në një nga çështjet më të bujshme që po komentohet në Turqi, pas hetimit të nisur nga Prokuroria e Stambollit në lidhje me pretendime për përdorim droge dhe festa private ku, sipas raportimeve, përmenden edhe figura të njohura të jetës publike. Sipas mediave turke, ndaj aktores ishte lëshuar më herët një urdhër ndalimi, i cili më pas u kthye në urdhër arresti për shkak se ajo ndodhej jashtë vendit. Pas kthimit në Turqi, Erçel dha dëshminë e saj para prokurorisë, iu nënshtrua edhe marrjes së mostrave të gjakut dhe flokëve në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dhe më pas u la e lirë. 

Në dëshminë e saj, aktorja ka mohuar në mënyrë të prerë çdo përfshirje me drogën, duke theksuar se nuk ka përdorur kurrë substanca të tilla dhe se, për shkak të profesionit, i kushton rëndësi të veçantë një jetese të shëndetshme. Ajo ka sqaruar gjithashtu se në ambientet e përmendura në dosje ka qenë vetëm në pjesën e restorantit të Bebek Hotel, dhe vetëm për takime pune. 

“Nuk kam përdorur kurrë drogë ose stimulantë në asnjë moment të jetës sime. Gjithashtu i kushtoj vëmendje një jetese të shëndetshme për shkak të profesionit tim”, ka deklaruar ajo para prokurorëve. 

Hande Erçel ka mohuar gjithashtu çdo lidhje me të ashtuquajturat festa private që janë raportuar nga mediat turke si pjesë e këtij hetimi. Sipas dëshmisë së saj, ajo nuk ka marrë pjesë në evente të tilla, nuk ka marrë ftesë dhe nuk njeh personat që përmenden si organizatorë të tyre. 

“Përveç kësaj, nuk kam jetë nate. Nuk kam marrë pjesë në asnjë festë apo aktivitet privat që është raportuar në shtyp dhe që dyshohet se është organizuar nga biznesmenë të caktuar. Nuk njoh askënd të përmendur në dosje që organizon festa të tilla. Nuk kisha dijeni për këto festa dhe aktivitete dhe as nuk kam marrë ftesë. Nuk kam përdorur kurrë drogë ose stimulantë në asnjë moment të jetës sime. I kushtoj vëmendje një jetese të shëndetshme për shkak të punës sime dhe nuk e kam parë kurrë Hakan Sabanç?n të përdorë drogë ose stimulantë.” 

Në dëshminë e saj, aktorja ka folur edhe për përgjegjësinë që ndjen si figurë publike. Ajo ka kujtuar se prej rreth 13 vitesh është në ekran dhe se gjithmonë është përpjekur të jetë e kujdesshme me jetën e saj, edhe për shkak të ndikimit që mund të ketë te publiku. 

“Kam provuar dhe po përpiqem të jem një model për të gjithë dhe të përfaqësoj vendin tim në mënyrën më të mirë jashtë vendit. Jam e trishtuar që emri im përmendet në këtë rast në këtë mënyrë dhe nuk e pranoj akuzën kundër meje”, është shprehur Hande Erçel. (

Kështu, në qendër të gjithë kësaj historie mbetet jo vetëm pesha e hetimit, por edhe goditja publike që sjell përfshirja e emrit të një prej aktoreve më të njohura turke në një dosje të tillë. Dhe ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse dëshmia e saj po komentohet kaq shumë: sepse nuk është vetëm një mohim ligjor, por edhe një përpjekje për të mbrojtur figurën e saj në një moment kur çdo emër i përmendur në një hetim të tillë mbart menjëherë një peshë shumë më të madhe se vetë lajmi.