Nestlé po përballet me një situatë jo të zakonshme në Europë, pasi një ngarkesë gjigante me çokollata KitKat është vjedhur gjatë transportit. Lajmin e konfirmoi vetë gjiganti zviceran i ushqimeve, duke bërë të ditur se “një kamion që po transportonte 413,793 njësi nga gama e re e çokollatave është vjedhur gjatë tranzitit në Europë”.

Sipas kompanisë, dërgesa e humbur peshonte rreth 12 ton dhe është zhdukur javën e kaluar, në momentin që po zhvendosej mes pikave të prodhimit dhe shpërndarjes.

Nestlé madje e shoqëroi ngjarjen me një dozë humori, duke luajtur me sloganin e famshëm të markës. “Ne gjithmonë i kemi nxitur njerëzit të bëjnë një pushim me KitKat,” tha një përfaqësues. “Por duket se hajdutët e kanë marrë mesazhin shumë fjalë për fjalë dhe kanë ‘bërë një pushim’ me më shumë se 12 ton çokollatë.”

Megjithatë, kompania sqaroi se pas këtij episodi mund të ketë pasoja reale për konsumatorët. Nestlé paralajmëroi se “vjedhja mund të çojë në mungesë të KitKat në rafte”, duke shtuar se “konsumatorët, fatkeqësisht, mund ta kenë të vështirë të gjejnë çokollatat e tyre të preferuara para Pashkëve”.

Sipas informacionit të Nestlé, kamioni ishte nisur nga Italia qendrore dhe ishte në rrugë drejt Polonisë, me plan që ngarkesa të shpërndahej në disa vende gjatë itinerarit. Kompania nuk bëri të ditur saktësisht se ku është zhdukur kamioni, duke u mjaftuar me konstatimin se “mjeti dhe përmbajtja e tij mbeten ende të pagjetura”.

“Hetimet po vijojnë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet lokale dhe partnerët e zinxhirit të furnizimit,” thuhet në deklaratë.

Një tjetër shqetësim është edhe destinacioni i mundshëm i produkteve të vjedhura. KitKat paralajmëroi se çokollatat e zhdukura “mund të hyjnë në kanale jozyrtare shitjeje në tregjet europiane”.

Nga ana tjetër, Nestlé theksoi se produktet mund të gjurmohen përmes kodeve unike të serisë të shtypura në çdo çokollatë. “Nëse gjendet një përputhje, skanuesi do të marrë udhëzime të qarta se si të njoftojë KitKat, dhe më pas ne do t’i përcjellim provat siç duhet,” sqaroi kompania.