Nga intermittent fasting te analizat e mikrobiomës, një qasje që bashkon shkencën, ndërgjegjësimin dhe traditat e lashta për të optimizuar bukurinë, mirëqenien dhe jetëgjatësinë.

Nuk bëhet fjalë thjesht për të ngrënë vezë në mëngjes, por për dëshirën për të tejkaluar kufijtë e biologjisë. Në vitet e fundit, termi biohacking ka kaluar nga gjuha e wellness-it amerikan në përdorimin e përditshëm të një komuniteti global.

Gjithnjë e më shumë njerëz sot përpiqen të optimizojnë ushqimin e tyre përmes strategjive të personalizuara, nga agjërimi intermittent te përdorimi i suplementeve të synuara, nga analiza e biomarkerëve te zgjedhja e ushqimeve sipas ritmit biologjik, për të arritur një mirëqenie të përgjithshme.
“Është përdorimi i biologjisë, teknologjisë dhe të dhënave personale për të ‘hack-uar’ sistemet e brendshme të trupit, duke optimizuar efikasitetin metabolik dhe qelizor përmes një ushqyerjeje të personalizuar”, shpjegon Manuel Salvadori, biohacker dhe nutricionist sportiv.

Me fjalë të tjera, do të thotë ta konsiderosh trupin si një sistem që duhet kuptuar dhe rregulluar me saktësi, pa ndjekur modat, por duke mësuar të dëgjosh realisht të dhënat, sinjalet dhe modelet e brendshme.
“Bëhet fjalë për t’u pyetur: ‘çfarë i duhet trupit tim?’ Jo çfarë sugjeron një piramidë ushqimore e përgjithshme, jo çfarë ka funksionuar për dikë në Instagram, por çfarë funksionon për mua, me hormonët e mi, nivelin tim të stresit, kontekstin tim ushqimor dhe stilin tim të jetesës. Duhet të kuptojmë se ushqimi është informacion: ai flet me hormonët, me zorrën, me sistemin imunitar. Dhe sa më shumë mëson ta lexosh këtë ‘bisedë’, aq më shumë kontroll ke”, shpjegon Veli, nutricioniste dhe biohackere.

Shumë nga praktikat që sot lidhen me biohacking-un, si agjërimi intermittent apo vëmendja ndaj ritmeve cirkadiane, ekzistojnë prej kohësh në ushqyerje. Çfarë është e re?
“Risia nuk është praktika, por kuptimi i mekanizmave molekularë dhe aftësia për të sinkronizuar marrjen e ushqyesve me orët tona biologjike për të maksimizuar rikuperimin dhe energjinë”, shpjegon Salvadori.

“Biohacking nuk është gjë tjetër veçse ajo që paraardhësit tanë dhe figura si Hipokrati praktikonin çdo ditë, por e përshtatur me stilin modern të jetesës, më të shpejtë dhe më kërkues për energji”, shton Lorenzo Perobelli. “Ajo që na bën mirë nuk ka ndryshuar, ka ndryshuar mënyra si jetojmë. Biohacking është një mjet për të mos humbur shëndetin në këtë ritëm modern, pa u detyruar të kthehemi pas në mënyrë jetese primitive.”

Pra, çfarë do të thotë të ushqehesh sipas biohacking sot?

Ushqyerja e personalizuar është ndryshimi më i madh: monitorimi i vazhdueshëm i glukozës, analizat e mikrobiomës dhe profilet hormonale përdoren në mënyrë aktive, pa pritur që të shfaqet problemi.
“Gratë, në veçanti, kanë filluar të ndjekin ciklin e tyre dhe të përshtatin ushqimin sipas tij, diçka që deri pak vite më parë ishte e paimagjinueshme”, shpjegon Veli.

Ndër praktikat më të përhapura mbetet ushqyerja me kohë të kufizuar, e thjeshtë dhe e mbështetur nga evidencat shkencore. Edhe suplementet përdoren shpesh, por kërkojnë kujdes, sepse përdorimi pa njohur parametrat personalë mund të jetë i panevojshëm. Ndër trendet e reja përmenden edhe peptidet, ndërsa një nga zhvillimet më premtuese është fokusi te protokollet specifike për trupin e gruas.

Biohacking-u ushqimor reflekton edhe një zhgënjim më të gjerë ndaj sistemeve tradicionale.
“Njerëzit po kuptojnë se këshillat standarde nuk funksionojnë për të gjithë dhe po rimarrin kontrollin mbi trupin e tyre. Shpesh dalin nga vizitat mjekësore me përgjigje të pjesshme, pa një vizion të plotë. Biohacking lind edhe si përgjigje ndaj kësaj boshllëku”, thotë Veli.

Megjithatë, ekziston edhe një anë tjetër.
“Koncepti i optimizimit mund të rrëshqasë lehtësisht në perfeksonizëm, sidomos te gratë. Qëllimi nuk është të bëhesh një makinë, por të ndihesh mirë, të kesh energji dhe të jetosh plotësisht. Kur kthehet në presion apo ankth, ka humbur kuptimin”, paralajmëron ajo.

Një tjetër rrezik është dezinformimi dhe mungesa e rregullimit në tregun e suplementeve. Ajo që funksionon për një person, mund të mos funksionojë për një tjetër. Konteksti individual është gjithçka.

Gjithashtu, ekziston rreziku që biohacking të kthehet në një trend të shtrenjtë dhe ekskluziv. Monitorimet, analizat dhe konsultat kanë kosto, por në thelb, biohacking nuk kërkon domosdoshmërisht investime të mëdha.

Shumica e gjërave që na bëjnë mirë janë falas: drita e diellit, gjumi i mirë, kontakti me natyrën, lëvizja dhe marrëdhëniet e shëndetshme. Pa këto baza, çdo teknologji apo trajtim bëhet i pavlefshëm.

Edhe Manuel Salvadori thekson se nuk duhen pajisje të shtrenjta për të nisur: mjafton të ndjekësh disa parime të thjeshta, si përshtatja e vakteve me dritën natyrore, fokusimi te cilësia ushqyese dhe menaxhimi i niveleve të sheqerit në gjak.

Pavarësisht rreziqeve, biohacking ushqimor shihet si një ndryshim i thellë kulturor. Ai sjell më shumë ndërgjegjësim për trupin, më pak varësi nga mjekësia reaktive dhe një përmirësim të shëndetit hormonal dhe metabolik.

Ky trend, fillimisht perëndimor, po përhapet edhe në kultura të tjera, duke u ndërthurur me tradita të lashta. Në shumë vende, parimet e tij kanë ekzistuar prej kohësh, vetëm se nuk janë quajtur me këtë emër.

Në fund, ideja është e thjeshtë: të hash nuk do të thotë vetëm të ushqesh trupin, por edhe ta “riprogramosh” atë për të çliruar energjinë jetike. Siç thekson Lorenzo Perobelli, të ndihesh mirë dhe të jetosh me energji është gjendja jonë natyrale. Çelësi është ndërgjegjësimi: të kuptosh çfarë të bën mirë dhe të përdorësh këtë njohuri për të nxjerrë në pah potencialin e plotë të trupit.