
Detaje të reja janë zbardhur nga zjarri i fuqishëm që përfshiu pallatin 12-katësh në kompleksin "Arlis" pranë QSUT. Mësohet se grupi hetimor ka administruar pamjet e kamerave të sigurisë të disa bizneseve përreth, që hedhin dritë mbi ngjarjen.
Në video shfaqen pesë fëmijë të mitur që qëndrojnë për disa minuta në pjesën e pasme të një marketi. Më pas, dy prej tyre largohen duke mbajtur në duar një objekt të paqartë, që dyshohet të jetë një copë letër. Të miturit hedhin atë mbi disa kuti kartoni të vendosura jashtë marketit dhe largohen nga vendngjarja.
Vetëm pak minuta më vonë, në të njëjtin vend shfaqet tym, i cili shumë shpejt shndërrohet në flakë, duke u përhapur me shpejtësi në fasadën e pallatit dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Lidhur me ngjarjen policia ka arrestuar katër persona, të dyshuar për veprat penale “shkatërrim i pronës nga pakujdesia” dhe “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”. Në pranga u vunë administratori i kompleksit të pallateve Agron Cara, 54 vjeç; Enver Ademi, 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi si dhe Altin Furtuna, administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit, ndaj të cilëve rëndon akuza për kryerjen e veprës penale të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë.
Ndërsa menaxherja e marketit që ndodhej në katin e parë të pallatit, Razie Sula, 54-vjeçe, u arrestua me akuzat e shkatërrimit të pronës nga pakujdesia dhe shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë. Nën hetim janë vënë pronari i kompleksit të pallateve 48-vjeçari Armand Lilo dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit. Gjithashtu nën hetim u vunë edhe dy punonjëse të marketit, shtetaset S. A. dhe E. M./Dosja.al
