Bota e bukurisë kohët e fundit është bërë e njohur për promovimin e një estetike të njëtrajtshme: i njëjti tip trupi, flokë të gjatë e të shndritshëm dhe lëkurë që duket tepër e tendosur dhe e lëmuar, sikur nuk është prekur fare nga kalimi i kohës. Megjithatë, duket se po largohemi më në fund nga ky moment (le ta quajmë lëvizja anti-AI) dhe për shumëkënd, flokët po udhëheqin këtë ndryshim.

Më shumë gra se kurrë po i thonë lamtumirë ngjyrimeve të forta dhe në vend të kësaj po përziejnë thinjat e tyre me ngjyrën natyrale të flokëve. “Përzierja e thinjave ndryshon bisedën nga fshehja tek bashkëpunimi me atë që ke,” thotë stilisti i flokëve Vipul Chudasama. “Nga përvoja ime, klientët sot nuk po pyesin më ‘Si ta mbuloj këtë?’, por më tepër ‘Si ta bëj këtë të duket natyrale dhe e bukur?’”

“Flokët e thinjura gjithmonë janë parë si një ‘problem’ që gratë pritej ta korrigjonin, zakonisht me bojëra mbuluese që zhduknin çdo fije të argjendtë,” thotë Sonia Presswala nga Looks Salon. “Teknika e përzierjes së thinjave integron fijet e argjendta me reflektime (highlights), hijezime (lowlights) ose tonalitete shkëlqyese, duke i lejuar ato të bashkëjetojnë me pjesët e ngjyrosura.”

Presswala shton se shumica e klientëve që e pranojnë në mënyrë aktive thinjat e tyre natyrale janë ende në të 40-at dhe 50-at, kryesisht gra të lodhura nga cikli i vazhdueshëm i rregullimit të rrënjëve. Por Florian Hurel, i cili zotëron një salloni që mban emrin e tij, thotë se edhe gratë në të 20-at dhe 30-at po e pranojnë këtë ndryshim. "Për shumë prej tyre, kjo vjen nga një vend i vetëbesimit dhe një mendësi paksa rebele", thotë ai. "Një ndjenjë se ato nuk duan të jenë të lidhura me ciklin e ngjyrosjes së vazhdueshme, ringjyrosjes ose përdorimit të kimikateve në flokët e tyre kaq herët."

Për dikë që po kalon nga flokët e lyer në thinjat natyrale, fokusi është në zbutjen e vijës ndarëse midis flokëve të lyer më parë dhe rritjes së re tw flokwve. Kur thinjat duken të panatyrshme, kjo ndodh shpesh sepse ekziston një vijë e fortë ndarëse midis ngjyrës së vjetër dhe rritjes së re ose sepse toni duket i zbehtë në vend që të reflektojë. "Përzierja e grive kërkon vendosje të kujdesshme të ngjyrave", thotë Swati Gupta e Bodycraft Salon. "Stilistët shpesh shtojnë theksime me ton të bardhë, nuanca të buta të zbehta ose tone gri të tejdukshme për t'i dhënë thellësi ngjyrës në vend që ta bëjnë të duket e sheshtë. Ideja është të krijohet një përzierje ku thinjat qëndrojnë natyrshëm brenda pjesës tjetër të flokëve."

Ajo që shpesh nënvlerësohet është kompleksiteti i procesit. “Rrallë është një transformim që ndodh brenda natës; ndonjëherë flokët duhet të zbardhen disa nivele për t'iu përshtatur tonit gri, gjë që nuk është gjithmonë e lehtë ose e këshillueshme. Për shkak të kësaj, procesi shpesh përfshin teknika graduale përzierjeje që lejojnë që flokët të rriten natyrshëm duke zvogëluar kontrastin”, shton Gupta.