Instagram po teston një paketë të re me pagesë të quajtur Instagram Plus, e cila sjell një sërë funksionesh të avancuara që deri më tani nuk kanë qenë pjesë e aplikacionit.

Ky abonim është menduar për përdoruesit e thjeshtë dhe jo për bizneset apo krijuesit e përmbajtjes, duke shënuar një hap të ri drejt monetizimit të platformës. Sipas informacioneve, Instagram Plus do të përfshijë një “modalitet të padukshëm”, që lejon shikimin e story-ve pa u shfaqur si shikues, si dhe një funksion që tregon se kush i ka parë dhe rishikuar story-t tuaja dhe sa herë.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është zgjatja e kohëzgjatjes së story-ve nga 24 në 48 orë. Përdoruesit gjithashtu do të kenë mundësinë të promovojnë një story në javë në krye të feed-it.

Paketa përfshin edhe lista të pakufizuara “Close Friends”, kërkim të shikuesve të story sipas emrit, si dhe mundësinë për të parë paraprakisht story pa u regjistruar si shikim. Për më tepër, priten edhe reagime të reja si “Super Heart”.

Çmimi i abonimit pritet të variojë nga 1 deri në 3 dollarë në muaj, megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga kompania. Instagram Plus pritet të jetë i disponueshëm vetëm për llogaritë personale.

Meta u jep përdoruesve mundësinë të redaktojnë komentet në Instagram që i lënë në postime, por vetëm brenda 15 minutave pas publikimit. Kjo është e ngjashme me mënyrën se si aplikacioni i rrjeteve sociale trajton redaktimin e mesazheve, një opsion që u prezantua në vitin 2024, 11 vjet pasi u mundësua dërgimi i mesazheve direkte në Instagram (në vitin 2013).

Përdoruesit tani mund të redaktojnë vetëm komentet që kanë lënë nga llogaria e tyre dhe procesi është i thjeshtë. Mjafton të preket butoni “Edit” nën komentin e vet për t’u hapur një kuti teksti, ku mund të ndryshohet, rishkruhet ose editohet ajo që është shkruar, dhe më pas të shtypet shenja blu e “tik”-ut për të ruajtur ndryshimet.