Një udhëtim vetëm sigurisht që nuk është për të gjithë. Pengesa më e madhe është siguria, e cila është tepër e vështirë për t’u matur.

Siç thekson Zyra e Jashtme, e Komonuelthit dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar (FCDO) në faqet e saj të këshillave, 'asnjë udhëtim nuk mund të garantohet i sigurt'.

Por, duke parë Indeksin më të fundit të Grave, Paqes dhe Sigurisë (WPS) të Universitetit Georgetown dhe Indeksin Global të Paqes, BBC Travel është përpjekur të analizojë shifrat dhe të dalë me destinacionet më të mira për udhëtarët femra vetëm.

Më poshtë janë pesë vende që mund të vizitoni në vitin 2026, dy prej të cilave janë në Evropë.

Estonia

Kombi baltik i Estonisë u fut në listë pasi u rendit i 11-ti në Indeksin WPS dhe i 24-ti në Indeksin Global të Paqes. Kryeqyteti, Talini, është perfekt për një fundjavë të gjatë, pasi mund të shëtisni lehtësisht nëpër qytetin e vjetër.

Norvegji

Nuk duhet të jetë çudi që një komb skandinav përkatësisht Norvegjia u rendit gjithashtu në listë. Vendi ishte i treti në Indeksin WPS, i barabartë me Suedinë, dhe u rendit i 32-ti në Indeksin Global të Paqes.

I njohur më së miri për peizazhet e tij përrallore, mund të bëni ecje në mal ose një shëtitje. Qytetet e Norvegjisë si Oslo, Bergen dhe Tromso janë kompakte, duke i bërë të lehta për t'u vizituar edhe vetë.

Kosta Rika

Duke u renditur në vendin e 54-t në Indeksin Global të Paqes që është mbi vende si SHBA-ja (e 128-ta) dhe Franca (e 74-ta) Kosta Rika u rendit në listë pasi u rrit nga vendi i 60-të në të 34-tin në Indeksin WPS.

Vietnami

Vietnami ka qenë prej kohësh një pjesë kyçe e shtegut të udhëtarëve vetëm me çanta shpine nëpër Azinë Juglindore.

Vendi renditet i 38-ti në Indeksin Global të Paqes, dhe ndërsa renditet i 73-ti në Indeksin WPS, kjo është më e lartë se shumë vende fqinje si Filipinet, Laosi, Kamboxhia dhe Indonezia.

Nëse ndiheni të vetmuar dhe ju mungon ndjesia e një vakti të gatuar në shtëpi, shumë shtëpi pritjeje në vend ju japin mundësinë të bisedoni me vendasit dhe të hani jashtëzakonisht mirë.

Uruguai

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, Uruguai, i cili është vendi i dytë më paqësor në Amerikën e Jugut sipas Indeksit Global të Paqes, u rendit në renditjen e BBC Travel pasi u rrit nga vendi i 59-të në të 35-tin në Indeksin WPS.

Krahasuar me kryeqytetet e zhurmshme në pjesën tjetër të kontinentit si Buenos Aires ose Lima, Montevideo është një vend shumë më i vogël dhe më i qetë për t'u vizituar. Si alternativë, mund të vizitoni Colonia del Sacramento.