Edhe pse serotonina njihet si hormoni që të bën të ndihesh mirë mendërisht, pjesa dërrmuese e saj krijohet në traktin tretës. Aty, qeliza të veçanta dhe bakteret e mira të zorrëve bashkëpunojnë për ta prodhuar nga një aminoacid i quajtur triptofan. Serotonina që prodhohet në zorrë nuk shkon në tru. Ajo nuk mund të kalojë barrierën gjak-tru. Në vend të kësaj, ajo ka role të tjera jetike në trupin tënd kontrollon lëvizjen e zorrëve, ndikon në tensionin e gjakut dhe ndihmon sistemin imunitar.

Pra, zorrët e tua nuk janë thjesht për tretje, ato janë një “qendër kontrolli” për shumë funksione të rëndësishme. Madje, studimet tregojnë se nëse mungojnë bakteret e mira në zorrë, nivelet e serotoninës mund të bien deri në 60%. Edhe pse nuk lidhet direkt me emocionet si serotonina në tru, zorrët komunikojnë me sistemin nervor përmes nervit vagus, një “linjë direkte” mes barkut dhe trurit.

Një zbulim i ri shkencor sjell shpresë për trajtimin e sëmundjeve të zemrës. Sipas studiuesve nga Michigan State University, hormoni oksitocinë i njohur ndryshe si “hormoni i dashurisë” mund të luajë një rol kyç në riparimin e zemrës pas dëmtimeve. Studimi ka treguar se oksitocina stimulon qelizat staminale të zemrës, duke ndihmuar në rigjenerimin e indeve të dëmtuara. Në testet e kryera mbi peshq zebër dhe në qeliza njerëzore, u zbulua se ky hormon aktivizon qelizat e quajtura Epicardium-derived Progenitor Cells (EpiPCs), të cilat kanë aftësinë të shndërrohen në qeliza muskulore të zemrës, përgjegjëse për rrahjet e saj.

Kur zemra dëmtohet, nivelet e oksitocinës rriten natyrshëm, duke sinjalizuar trupin të nisë procesin e rikuperimit. Ky mekanizëm është veçanërisht i zhvilluar tek peshqit zebër, të cilët kanë aftësi të jashtëzakonshme për të rigjeneruar zemrën. Shkencëtarët besojnë se ky zbulim hap rrugë të reja për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe rikuperimin pas infarkteve. Duke qenë se oksitocina përdoret tashmë në mjekësi për qëllime të tjera, ajo mund të përshtatet relativisht shpejt edhe për terapi të zemrës. Hapi i radhës do të jenë provat klinike për të krijuar forma më të qëndrueshme të këtij hormoni, që mund të ndihmojnë pacientët të rikuperojnë funksionin normal të zemrës.