Nëse je një grua në pozicion drejtues ose do të marrësh një rol të rëndësishëm në punë, ndoshta do të ishte më mirë të shmangje makeup-in e tepërt, si buzëkuqin apo maskarën e rënduar.

Një studim i kryer nga një grup psikologësh në Abertay University zbuloi se makeup-i nuk është domosdoshmërisht diçka që gratë duhet ta përdorin për t’u marrë seriozisht dhe për t’u perceptuar si lidere në vendin e punës.

Ndryshe nga sa mund të keni besuar deri tani, studimi tregoi se “sasia e makeup-it që mban një grua mund të ndikojë negativisht në mënyrën si perceptohet aftësia e saj drejtuese”.

Sipas informacionit të publikuar nga universiteti, studiuesit u kërkuan pjesëmarrësve të vlerësonin një seri fotosh të së njëjtës grua: pa makeup dhe me makeup të realizuar për një “darkë apo dalje sociale”. Përmes programeve kompjuterike u manipulua jo vetëm fytyra, por edhe niveli i makeup-it në secilën foto.

Secili pjesëmarrës duhej të krahasonte 16 çifte fotosh dhe të tregonte se cila fytyrë dukej si një lidere më e mirë. Si burrat ashtu edhe gratë i gjykuan më ashpër gratë me makeup të rënduar.

Pas analizimit të përgjigjeve, studiuesit zbuluan se si burrat ashtu edhe gratë i vlerësonin më negativisht gratë si lidere kur ato kishin shumë makeup.

Dr. Christopher Watkins, i cili drejtoi studimin, tha se gratë që përdorin makeup të theksuar perceptohen më “sipërfaqësore” dhe “më pak të besueshme” krahasuar me ato që përdorin pak ose aspak makeup.

“Ky studim lidhet me kërkime të mëparshme që sugjerojnë se makeup-i e bën një grua të duket më dominuese. Por ndërsa studimet e mëparshme tregojnë se njerëzit priren të tregojnë më shumë respekt ndaj një gruaje me pamje tërheqëse, kërkimi ynë i ri sugjeron se makeup-i nuk e përmirëson perceptimin për aftësitë drejtuese të saj", tha ai.

Nga ana tjetër, studime të mëparshme kanë treguar se makeup-i në ambient profesional mund të rrisë perceptimin e njerëzve për simpatinë dhe kompetencën e një gruaje.

Sipas kërkimeve të përmendura nga The New York Times, prej kohësh dihet se fytyrat simetrike konsiderohen më tërheqëse dhe njerëzit priren të mendojnë se personat tërheqës janë më inteligjentë dhe më pozitivë. Ekzistojnë gjithashtu prova që gratë ndihen më të sigurta në vetvete kur mbajnë makeup.

Për këtë arsye, Nancy Etcoff, profesoreshë e psikologjisë klinike në Harvard University, shprehet se makeup-i ndikon që njerëzit t’i perceptojnë gratë si më të afta, më të besueshme dhe më të sjellshme.

Por ajo që tregojnë të dyja studimet është se, ndërsa gratë me makeup shpesh perceptohen si më kompetente, inteligjente, të sigurta në vetvete dhe të pëlqyeshme, të njëjtat gra mund të perceptohen njëkohësisht edhe si “më pak të besueshme”.

Të qenit një grua që punon sjell një sërë sfidash komplekse. Gratë shpesh luftojnë për paga të barabarta, për kohën e nevojshme të lejes së lindjes dhe për t’u marrë seriozisht në pozita drejtuese.

Për shumë gra, shpesh duket sikur janë të paragjykuara që në fillim në ambientin profesional. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se duhet të ndryshojnë atë që janë për të pasur sukses. Merrni vendimet tuaja dhe kërkoni ambiente pune ku vlerësoheni për gjithçka që bëni.