
Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme të reja ushtarake ndaj Iranit, ndërsa negociatat janë duke u zhvilluar për t’i dhënë fund luftës tremujore në Lindjen e Mesme.
Sulmet kishin në shënjestër një strukturë ushtarake që shihej si një kërcënim për forcat amerikane dhe anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Një zyrtar amerikan, ka deklaruar se forcat amerikane kishin kapur dhe rrëzuar disa dronë iranianë që shiheshin si një kërcënim për njësitë ushtarake dhe anijet tregtare në zonë.
Më parë, agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se tre shpërthime u dëgjuan në lindje të qytetit portual të Bandar Abbas rreth orës 1:30 të mëngjesit sipas kohës lokale.
Sipas raportimit, sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan për disa minuta, ndërsa autoritetet iraniane nisën një hetim për të përcaktuar origjinën e shpërthimeve.
Më herët, media iraniane raportoi gjithashtu shpërthime në zonë, duke përmendur shkëmbime zjarri me ushtrinë amerikane. Teherani akuzoi Uashingtonin për shkelje të armëpushimit në fuqi që nga fillimi i prillit.
Sulmet e reja vijnë ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje midis Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund luftës që shpërtheu më 28 shkurt pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.
