Qeveria britanike ka njoftuar një nga masat më të forta të ndërmarra ndonjëherë ndaj përdorimit të internetit nga fëmijët. Kryeministri Keir Starmer bëri të ditur se fëmijët nën moshën 16 vjeç nuk do të lejohen të përdorin rrjete sociale, ndërsa do të vendosen kufizime të reja edhe për lojërat online dhe platformat e transmetimit të drejtpërdrejtë.

Sipas Starmer, masa synon të mbrojë fëmijët nga rreziqet e internetit dhe të kufizojë ndikimin e kompanive të mëdha të teknologjisë. Ai theksoi se ndryshimi do t’u japë të rinjve më shumë kohë, siguri dhe liri për t’u zhvilluar larg presionit të botës digjitale.

Ndalimi pritet të prekë platforma të njohura si TikTok, Instagram dhe Snapchat. Paralelisht, qeveria synon të ndërhyjë edhe te shërbimet e lojërave dhe transmetimeve live që u mundësojnë të miturve të komunikojnë me persona të panjohur.

Autoritetet britanike pritet të finalizojnë kuadrin rregullator deri në fund të këtij viti, ndërsa ndalimi i plotë mund të nisë zbatimin në pranverën e vitit 2027.

Britania ka ashpërsuar gradualisht qëndrimin ndaj gjigantëve të teknologjisë, duke kërkuar verifikim moshe, ndryshime në algoritme dhe masa kundër shpërndarjes së materialeve të papërshtatshme për të miturit. Vendimi vjen në një kohë kur shqetësimet për ndikimin e rrjeteve sociale në shëndetin mendor të fëmijëve po rriten vazhdimisht në mbarë botën.