Familja Beckham ka hedhur poshtë pretendimet e Brooklyn Beckham se vizita e papritur e motrës së tij më të vogël, Harper, në shtëpinë e tij në Los Angeles ishte organizuar përpara kamerave.

Sipas një raportimi të ri, David dhe Victoria Beckham janë kundërpërgjigjur pas deklaratës së përfaqësuesit të djalit të tyre, i cili pretendoi se vizita e 14-vjeçares ishte pjesë e një skenari të përgatitur për mediat.

Një burim pranë familjes e cilësoi pretendimin si “qartazi të pakuptimtë”, në një deklaratë për gazetën britanike “The Sun”.

Përfaqësuesit e Brooklyn dhe bashkëshortes së tij, Nicola Peltz, si edhe ata të David dhe Victoria Beckham, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Page Six për koment.

Harper Beckham u fotografua duke shkuar në shtëpinë e vëllait të saj të madh në Los Angeles, ku ai jeton me Nicola-n, pak pasi kishte marrë pjesë në ceremoninë ku babai i saj u nderua me një yll në Hollywood Walk of Fame.

Megjithatë, përpjekja e saj për ta takuar nuk pati rezultat. Sipas burimeve, adoleshentja u largua nga prona vetëm pak minuta pasi kishte mbërritur, pa arritur të shihte Brooklyn.

Një burim tha se Brooklyn dhe Nicola nuk ishin të disponueshëm në atë moment. Më vonë, 27-vjeçari publikoi në Instagram Stories se ndodhej në New York gjatë vizitës së motrës.

Pavarësisht kësaj, përfaqësuesi i çiftit ngriti dyshime mbi spontanitetin e vizitës.

“Fakti që fotografët ndodheshin aty në momentin kur letra u dorëzua personalisht i thotë të gjitha. Kjo ishte e organizuar për kamerat”, deklaroi ai për Page Six.

Familja Beckham, megjithatë, këmbëngul se pretendimi nuk është i vërtetë dhe se Harper kishte vendosur vetë të shkonte në shtëpinë e vëllait.

Vizita e saj vjen disa muaj pasi Brooklyn deklaroi publikisht se nuk dëshiron të pajtohet me familjen e tij.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, ai akuzoi të ëmën, Victoria Beckham, se kishte ndërhyrë në kërcimin e tij të parë me Nicola-n gjatë dasmës së tyre në vitin 2022 dhe se kishte kontrolluar narrativën mediatike rreth familjes së famshme.

“Nuk jam duke u kontrolluar. Po ngrihem për veten time për herë të parë në jetën time”, shkroi Brooklyn.

“Gjatë gjithë jetës sime, prindërit e mi kanë kontrolluar mënyrën se si familja jonë paraqitet në media, përmes postimeve performative në rrjetet sociale, eventeve familjare dhe marrëdhënieve joautentike. Kohët e fundit kam parë me sytë e mi deri ku janë të gatshëm të shkojnë për të vendosur gënjeshtra të panumërta në media, kryesisht në kurriz të njerëzve të pafajshëm, vetëm për të ruajtur fasadën e tyre”, vijoi ai.

Pas kësaj deklarate, mungesa e Brooklyn në ceremoninë e të atit në Hollywood Walk of Fame nuk erdhi si surprizë.

Ai ishte i vetmi nga fëmijët e David dhe Victoria Beckham që nuk mori pjesë në event. Në ceremoni ishin të pranishëm Romeo, Cruz dhe Harper, të cilët qëndruan pranë prindërve të tyre në këtë moment të rëndësishëm për familjen.

Një burim kishte thënë më herët për Page Six se pjesëmarrja e Brooklyn nuk kishte qenë asnjëherë realisht në diskutim.

“Edhe sikur ai të dëshironte t’i takonte gjatë ceremonisë, Nicola nuk do ta priste aspak mirë këtë”, pretendoi burimi.

Një person tjetër pranë situatës shtoi: “Dy gjëra mund të jenë të vërteta në të njëjtën kohë: Nicola mund të jetë një person i vështirë dhe Brooklyn mund të mos dëshirojë t’i takojë prindërit.”

Vizita e Harper ka nxjerrë edhe një herë në pah tensionet e thella brenda familjes Beckham. Ndërsa Brooklyn vazhdon të mbajë distancë nga prindërit, motra e tij më e vogël duket se ka tentuar të krijojë një urë komunikimi, edhe pse përpjekja e saj përfundoi pa një takim.