Shumë njerëz e shohin fatin si diçka që vjen rastësisht, por sipas ekspertes së lidershipit dhe inovacionit në Universitetin Stanford, Tina Seelig, fati mund të kultivohet. Pas 27 vitesh pune me studentë dhe sipërmarrës, ajo thotë se njerëzit më të suksesshëm nuk presin që fati t’u trokasë në derë, por krijojnë vetë kushtet që ai të shfaqet.

Sipas saj, ekzistojnë pesë zakone që i ndihmojnë njerëzit të tërheqin më shumë mundësi dhe të përfitojnë nga ato kur shfaqen.

1. Kanë vlera të forta themelore

Njerëzit me fat e dinë qartë se çfarë është e rëndësishme për ta dhe për çfarë nuk bëjnë kompromis. Kur keni parime të forta, është më e lehtë të dalloni një mundësi të vlefshme nga një shpërqendrim i rrezikshëm. Për më tepër, integriteti krijon besim dhe besimi hap dyer të reja në të ardhmen.

2. Marrin në dorë historinë e jetës së tyre

Shumë njerëz kufizohen nga bindjet negative si “nuk jam i zoti për këtë” ose “gjithmonë ka qenë kështu”. Njerëzit më me fat zgjedhin të mos mbeten peng i së shkuarës. Ata e shohin veten si të aftë për të kapërcyer sfidat dhe për të ndikuar në drejtimin e jetës së tyre.

3. Lënë hapësirë për surpriza

Një vendim i vogël mund të ndryshojë rrjedhën e jetës. Një përshëndetje ndaj një të panjohuri, një telefonatë me një koleg të vjetër apo zgjedhja për të nisur një zakon të ri mund të sjellin mundësi të papritura. Njerëzit me fat janë të hapur ndaj këtyre surprizave.

4. Përqafojnë ndjenjën e pasigurisë

Sindroma e mashtruesit (imposter syndrome) i bën shumë njerëz të ndihen sikur nuk janë mjaftueshëm të aftë. Por njerëzit më të suksesshëm e shohin këtë ndjenjë si shenjë rritjeje. Ata e kuptojnë se gabimet dhe dështimet janë pjesë e procesit të të mësuarit dhe i përdorin si mundësi për t’u përmirësuar.

5. Tregojnë vazhdimisht mirënjohje

Një falënderim i sinqertë, një vlerësim publik apo një gjest i vogël mirësjelljeje mund të ketë ndikim të madh. Njerëzit që ndihen të vlerësuar kanë më shumë gjasa t’ju mbështesin sërish në të ardhmen. Mirënjohja jo vetëm që forcon marrëdhëniet, por krijon edhe mundësi të reja.