
A ke vënë re që gjatë ditëve të nxehta mund të ndihesh më i lodhur, më nervoz ose të kesh vështirësi në përqendrim? Kjo nuk është thjesht ndjesi personale, është një reagim real i trurit ndaj temperaturave ekstreme.
Kur temperatura e trupit rritet, truri detyrohet të punojë më shumë për të ruajtur ekuilibrin e brendshëm (homeostazën). Në kushte shumë të nxehta, organizmi fillon të humbasë më shumë lëngje përmes djersitjes, dhe kjo mund të çojë në dehidratim. Dehidratimi, edhe kur është i lehtë, ndikon drejtpërdrejt në funksionet njohëse si kujtesa, përqendrimi dhe shpejtësia e reagimit.
Nxehtësia ekstreme gjithashtu ndikon në neurotransmetuesit kimikatet që ndihmojnë komunikimin mes qelizave të trurit. Kjo mund të sjellë ndryshime në humor, duke rritur irritimin, ankthin apo ndjesinë e stresit. Disa studime kanë treguar se gjatë valëve të të nxehtit rritet edhe rreziku për vendime impulsive dhe ulje e aftësisë për të gjykuar qartë.
Për më tepër, gjumi shpesh përkeqësohet gjatë netëve të nxehta, dhe mungesa e gjumit e bën trurin edhe më të ndjeshëm ndaj lodhjes mendore dhe paqëndrueshmërisë emocionale. Kjo krijon një cikël: nxehtësia ndikon në gjumë, gjumi i dobët ndikon në funksionimin e trurit, dhe truri i lodhur përballon më keq nxehtësinë.
Sipas Dr. Gaurab Basu nga Harvard Chan C-CHANGE, është shumë e rëndësishme të kuptojmë se trupi dhe truri ynë janë të ndërlidhur fort me mjedisin. Ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave ekstreme nuk ndikon vetëm në rehati fizike, por edhe në shëndetin mendor dhe aftësinë tonë për të funksionuar normalisht në përditshmëri.
