Ndërsa temperaturat kalojnë mbi 30°C gjëja e fundit që shumë njerëz duan të bëjnë është të ndezin furrën. Jo vetëm që gatimi në mot të nxehtë mund të duket i lodhshëm, por shumë njerëz humbasin edhe oreksin.

Por kur temperaturat rriten, a duhet të ndryshojmë mënyrën e të ushqyerit? Ja tre gjëra që duhen pasur parasysh kur ndiheni të uritur gjatë vapës.

1. Mos u shqetësoni për marrjen e proteinave

“Nuk ka nevojë për më shumë proteina gjatë një vale të nxehti”, thotë Aisling Daly, pedagoge e lartë në fushën e ushqyerjes në Oxford Brookes University.

Megjithatë, nëse dëshironi ushqime me proteina, disa prej burimeve më të zakonshme kërkojnë gatim, si mishi, pula dhe peshku, dhe kjo mund të jetë e pakëndshme gjatë temperaturave të larta. Edhe një barbecue jashtë mund të jetë e vështirë për t’u përballuar në vapë.

Një zgjidhje mund të jetë air fryer-i. Gatimi i një kofshe pule në këtë pajisje përdor më pak se gjysmën e energjisë së një furre tradicionale dhe, duke qenë më i vogël dhe më i shpejtë, çliron edhe më pak nxehtësi në kuzhinë.

Në fakt, vetëm procesi i tretjes së proteinave bën që trupi të prodhojë më shumë nxehtësi sesa me grupet e tjera ushqimore. Kjo ndodh sepse stomaku, zorrët dhe mëlçia harxhojnë energji për të shpërbërë dhe përthithur këto molekula komplekse.

Por proteinat mund të merren edhe nga ushqime më të lehta, si: thjerrëzat, arrat, qumështi dhe djathi. Për të marrë proteina pa rritur shumë temperaturën e trupit, ekspertët sugjerojnë ushqime si sallatat me fasule, vezët, mish dhe shumë kos grek.

Një smoothie me fruta, perime dhe kos, ku mund të shtohet edhe gjalpë kikiriku për proteina, mund të jetë një vakt i balancuar dhe i lehtë gjatë verës.

Gjithashtu, mund të jetë koha për peshq më të lehtë, si: ton, salmon dhe karkaleca.

2. Pini uji

Kur është vapë, humbasim ujë përmes djersitjes, ndaj duhet ta zëvendësojmë atë për të shmangur dehidratimin.Zakonisht rekomandohen 6–8 gota lëngje në ditë, por gjatë një vale të nxehti mund të nevojitet shumë më tepër.

“Nuk ka një sasi të vetme që i përshtatet të gjithëve, sepse nevoja për lëngje varet nga faktorë si mosha, madhësia e trupit, aktiviteti fizik dhe gjendja shëndetësore”, thotë Dr Charlotte Mills, shkencëtare e ushqimit dhe ushqyerjes në University of Reading.

Ushqimet me përmbajtjen më të lartë të ujit janë: kastraveci, domatet, sallata jeshile, selinoja, shalqiri dhe luleshtrydhet. Këto përmbajnë mbi 90% ujë. Mollët, karotat, brokoli i gatuar, dardhat, portokallet, rrushi dhe ananasi përmbajnë rreth 80–89% ujë.

Një mënyrë e thjeshtë për të kontrolluar nëse jeni të hidratuar është të shikoni ngjyrën e urinës. E verdhë e çelët është hidratim i mirë, ngjyrë portokalli ose kafe e errët është shenjë dehidratimi.

3. Pijet e ngrohta mund t’ju freskojnë

Edhe pse shumë njerëz preferojnë një çaj të ngrohtë edhe në ditët më të nxehta, kjo ka një shpjegim shkencor. Pijet e ngrohta ose në temperaturë dhome mund të jenë po aq të mira sa pijet e ftohta për t’ju ndihmuar të freskoheni, sipas Dr Daly.

Kërkimet sugjerojnë se trupi fillon të djersijë më shpejt pas një pijeje të ngrohtë për të larguar nxehtësinë e tepërt. Pas një pijeje të ftohtë, djersitja mund të ngadalësohet, pasi trupi përpiqet të mbajë temperaturën e brendshme rreth 37°C.

Pra, çaji i nxehtë nuk do t’ju freskojë domosdoshmërisht më shpejt gjëja kryesore është të qëndroni të hidratuar, pavarësisht temperaturës së pijes. Dr Daly thotë se një ose dy kafe në ditë kanë pak ndikim në hidratim, por pesë ose gjashtë mund të fillojnë të ndikojnë. Edhe alkooli duhet pasur parasysh, pasi dehidraton trupin.

Një tjetër mënyrë për ta përballuar vapën është të ndryshoni ritmin e ditës, duke ndjekur modelin mesdhetar: një mëngjes më të hershëm, një pushim pasditeje kur temperaturat janë më të larta dhe një darkë më të vonshme.