Një analizë e Euronews Business, bazuar në të dhënat e Eurostat, krahasoi çmimet në shtatë nga destinacionet më të njohura turistike në Europë dhe zbuloi se Turqia është vendi më i lirë në përgjithësi, ndërsa Portugalia ofron raportin më të mirë cilësi-çmim për hotelet dhe restorantet.

Megjithatë, Turqia rezulton të jetë edhe destinacioni më i shtrenjtë për pijet alkoolike. Çmimi i një vakti buzë detit, i një nate në hotel apo i një gote vere mund të ndryshojë ndjeshëm, në varësi të vendit ku zgjidhni të kaloni pushimet.

Analiza nuk llogarit koston totale të një pushimi, por bazohet në çmimet mesatare kombëtare të mallrave dhe shërbimeve. Kjo do të thotë se zonat turistike mund të jenë dukshëm më të shtrenjta se mesatarja e vendit.

Turqia, vendi më ekonomik

Sipas indeksit të çmimeve të konsumit të familjeve (HFCE), një "shportë" produktesh dhe shërbimesh që kushton 100 euro mesatarisht në BE, në Turqi kushton vetëm 59.6 euro, ose 40.4% më pak se mesatarja europiane.

Nga shtatë vendet e analizuara, renditja është kjo: Turqia: 59.6 euro, Kroacia: 78.4 euro, Portugalia: 86.6 euro, Greqia: 87.4 euro, Spanja: 91.6 euro, Italia: 97.1 euro, Franca: 100.3 euro (më e shtrenjta në krahasim)

Ku janë më të lira hotelet dhe restorantet?

Në kategorinë "Restorante dhe hotele", që është ndër më të rëndësishmet për turistët: Portugalia rezulton më e lira, me çmime 26.4% nën mesataren e BE-së. Pas saj vjen Turqia. Spanja, Greqia dhe Kroacia ofrojnë gjithashtu çmime nën mesataren europiane. Italia dhe sidomos Franca janë më të shtrenjtat.

Ushqimi: Turqia dhe Spanja më ekonomiket

Për çmimet e ushqimeve, diferencat nuk janë shumë të mëdha mes vendeve, përveç Turqisë. Franca ka çmimet më të larta, rreth 7.9% mbi mesataren e BE-së. Turqia është më e lira, me një indeks prej 75.6.
Spanja është i vetmi vend tjetër ku ushqimet kushtojnë më pak se mesatarja europiane.

Alkooli, shumë më i shtrenjtë në Turqi

Ndërsa Turqia është destinacioni më ekonomik në përgjithësi, ajo është vendi më i shtrenjtë për pijet alkoolike. Në Turqi, alkooli kushton më shumë se dyfishi i mesatares së BE-së. Pas saj renditet Greqia, ndërsa Kroacia është e treta. Italia ka pijet alkoolike më të lira, e ndjekur nga Spanja.

Duhani dhe transporti publik

Turqia ka gjithashtu çmimet më të ulëta për produktet e duhanit, ndërsa Franca është vendi më i shtrenjtë. Edhe për transportin publik, Turqia rezulton më ekonomike. Vetëm Franca ka çmime mbi mesataren europiane, ndërsa Portugalia, Spanja, Kroacia dhe Greqia janë nën të.

Frutat e detit

Për adhuruesit e produkteve të detit, ndryshimet nuk janë të mëdha. Çmimet variojnë nga Portugalia, që është më e lira, deri te Greqia, ku janë pak më të larta. Analiza nuk merr parasysh të ardhurat e banorëve të secilit vend. Për këtë arsye, diferencat në çmime mund të ndihen më pak nga turistët që vijnë nga vende me të ardhura të larta, ndërsa për vizitorët nga vende me të ardhura më të ulëta ato mund të kenë ndikim më të madh.