Në çdo dalje të familjes Beckham janë gjithmonë të gjithë, përveç njërit. Kjo vlen për ndeshjet e Kupës së Botës, por mbi të gjitha për momentet familjare, siç ishte ditëlindja e më të voglës së shtëpisë.

Harper Beckham thuhet se dëshironte si dhuratë për ditëlindje praninë e vëllait të saj, Brooklyn, por ai duket se nuk ia plotësoi këtë dëshirë.

Page Six ka publikuar fotografi nga festa e 15-vjetorit të Harper, e mbajtur të premten në restorantin italian “Sant Ambroeus”, në West Palm Beach të Floridës. Në fotografi, vajza e ditëlindjes shfaqet së bashku me David dhe Victoria Beckham, vëllezërit Romeo dhe Cruz, si dhe partneret e tyre, Kim Turnbull dhe Jackie Apostel.

Ashtu si në fotografitë e shumta nga stadiumi i Miamit, ku Anglia mposhti Norvegjinë në çerekfinalet e Kupës së Botës, edhe në festën familjare mungonte gjithmonë i njëjti person: djali i madh i familjes, Brooklyn, i cili prej kohësh ndodhet në një konflikt të hapur me prindërit.

Festa familjare vjen një muaj pas përpjekjes së Harper për t’u pajtuar me të vëllanë.

Adoleshentja shkoi në shtëpinë e Brooklyn-it në Beverly Hills, pas ceremonisë ku David Beckham mori yllin e tij në “Hollywood Walk of Fame”. Megjithatë, ata nuk u takuan, edhe pse ekziston një fotografi e 15-vjeçares përpara shtëpisë së vëllait.

Një burim i konfirmoi Page Six se, në atë moment, as Brooklyn dhe as bashkëshortja e tij, Nicola Peltz, nuk ndodheshin në shtëpi. Brooklyn, 27 vjeç, dhe bashkëshortja e tij pretenduan më pas se ajo përpjekje për pajtim kishte qenë thjesht një skenë e inskenuar.

Një zëdhënës i çiftit deklaroi në atë kohë:

“Fakti që fotografët ndodheshin tashmë aty në momentin kur letra u dorëzua personalisht tregon shumë. E gjithë skena ishte organizuar përpara kamerave.”

Prej kohësh, Brooklyn i akuzon prindërit se po përpiqen t’i shkatërrojnë marrëdhënien me bashkëshorten, të cilën, sipas tij, ata nuk e kanë pranuar kurrë.

Çdo rast është kthyer në një mundësi për të hedhur kunja ndaj David dhe Victoria Beckham, të cilët ai i akuzon se kanë ndërtuar një imazh të rremë të familjes së tyre përpara tabloideve dhe kamerave.

Në janar të këtij viti, 27-vjeçari, përmes një letre të dërguar nga studioja e tij ligjore, u kërkoi prindërve që ta kontaktonin vetëm nëpërmjet avokatëve, të mos bënin deklarata publike për të dhe të mos e etiketonin më në rrjetet sociale.

Kjo kërkesë e fundit, megjithatë, u shpërfill nga David dhe Victoria në postimet e tyre të fundit, si në ditëlindjen e Brooklyn-it, ashtu edhe në Ditën e Babait.

Brooklyn nuk ishte i pranishëm në tribunën e stadiumit në Miami dhe këtë herë nuk u etiketua në postimet familjare. Megjithatë, ai deshi të tregonte përmes një historie në Instagram se nuk e kishte humbur ndeshjen, ashtu siç nuk kishte humbur as ndeshjet e mëparshme.

Ai e kishte ndjekur nga shtëpia, në televizor.

Ditët e fundit, Brooklyn u vendos në qendër të polemikave edhe për shkak të një reklame të lidhur me Kupën e Botës FIFA 2026, ku dukej se hidhte një kunjë të drejtpërdrejtë ndaj familjes.

Në video, 27-vjeçari shfaqet duke shijuar ndeshjen i ulur rehat në divan dhe, me një buzëqeshje sfiduese, i drejtohet kamerës:

“Me siguri po pyesni veten pse po e shoh Kupën e Botës nga shtëpia.”

Pas një pauze të shkurtër, ai qesh dhe shton:

“Është një histori e gjatë. Është e komplikuar.”

Fjalë që shumë i interpretuan si një aludim të qartë për krisjen e marrëdhënies së tij me prindërit.

Muajin e kaluar, edhe Nicola Peltz u akuzua nga fansat se kishte hedhur një kunjë ndaj Harper-it përmes një postimi në Instagram, ku thurte lavde për kunatën e saj të re, Kenya Kinski-Jones.

Peltz ndau disa fotografi nga dasma e vëllait të saj të madh, Will, me Kinski-Jones, duke e përshkruar këtë të fundit si “motrën e ëndrrave”.

“Kjo dasmë ishte me të vërtetë një nga gjërat më të bukura që kam pasur privilegjin të përjetoj. Willy, faleminderit që më dhurove më në fund dhe zyrtarisht motrën e ëndrrave të mia, Ken”, shkroi ajo.

Kenya Kinski-Jones është vajza e producentit legjendar të muzikës Quincy Jones dhe aktores Nastassja Kinski.

Nicola Peltz vazhdoi:

“Jam pafundësisht me fat që kam njerëz kaq të jashtëzakonshëm, familjen Jones, të cilët mund t’i quaj familja ime. Faleminderit që keni sjellë kaq shumë dashuri, ngrohtësi, bukuri dhe magji të pastër në jetët tona.”

Mesa duket, sipas saj, familja Beckham nuk ka sjellë të njëjtën magji.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by David Beckham (@davidbeckham)