
Uria zakonisht funksionon sipas një rregulli të thjeshtë, kur jeni të uritur hani, dhe pasi hani ndiheni të ngopur. Por çfarë ndodh kur ky ritëm prishet dhe ndjeni uri edhe pas një vakti?
Sipas ekspertëve, ndjenja e vazhdueshme e urisë pas ushqimit mund të lidhet me faktorë të ndryshëm, nga mënyra e të ushqyerit dhe stresi, deri te gjendja shëndetësore apo medikamentet që përdorni. Ja 6 arsye të mundshme:
1. Merrni medikamente që rrisin oreksin
Disa medikamente mund të shtojnë ndjesinë e urisë dhe dëshirën për të ngrënë. Gjithashtu, disa gjendje shëndetësore si problemet me tiroiden, sindroma para menstruale (PMS) apo ndryshimet hormonale gjatë perimenopauzës mund të shkaktojnë uri të vazhdueshme. Çfarë mund të bëni: Mbani një dietë të ekuilibruar, pini mjaftueshëm ujë, flini mirë, menaxhoni stresin dhe konsumoni më shumë ushqime me fibra. Nëse problemi vazhdon, flisni me mjekun.
2. Nuk keni ngrënë mjaftueshëm
Sasia e ushqimit ndikon drejtpërdrejt te ndjenja e ngopjes. Nevojat për kalori ndryshojnë në varësi të aktivitetit fizik, stërvitjes, shtatzënisë apo ushqyerjes me gji. Çfarë mund të bëni: Shikoni nëse vaktet tuaja janë shumë të vogla dhe shtoni ushqime të pasura me vlera ushqyese.
3. Keni ngrënë shumë shpejt
Trurit i duhet kohë që të marrë sinjalin nga stomaku se jeni ngopur. Ky proces mund të zgjasë rreth 20 minuta. Çfarë mund të bëni: Prisni pak pas vaktit dhe dëgjoni sinjalet e trupit para se të merrni më shumë ushqim.
4. Keni pritur shumë gjatë për të ngrënë
Nëse kalojnë shumë orë mes vakteve, mund të arrini në një pikë ku jeni shumë të uritur dhe nuk ndiheni të ngopur edhe pasi hani. Çfarë mund të bëni: Shpërndajini vaktet në mënyrë më të rregullt dhe mos e anashkaloni mëngjesin nëse trupi juaj ka nevojë për të.
5. Vakti juaj nuk ka qenë i balancuar
Një vakt i pasur vetëm me karbohidrate mund t’ju lërë të uritur shpejt. Proteinat, yndyrat e shëndetshme dhe fibrat ndihmojnë që ndjenja e ngopjes të zgjasë më shumë. Çfarë mund të bëni:
Kombinoni në çdo vakt proteina, fibra dhe yndyra të shëndetshme.
6. Jeni të stresuar
Stresi, mërzia apo shpërqendrimi mund të nxisin dëshirën për të ngrënë edhe kur trupi nuk ka nevojë për energji. Çfarë mund të bëni: Në vend që ta shihni ushqimin si diçka që duhet ta ndaloni, përpiquni të gjeni mënyra për t’u ndier të kënaqur dhe të menaxhoni emocionet pa e përdorur gjithmonë ushqimin si zgjidhje. Nëse ndjenja e urisë pas çdo vakti vazhdon, ekspertët këshillojnë të mos e injoroni, pasi mund të jetë një sinjal që trupi po përpiqet t’ju tregojë diçka.
