Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka shënuar një tjetër rekord historik, duke regjistruar numrin më të lartë të fluturimeve të realizuara brenda 24 orëve. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Albcontrol, më 6 korrik 2026 në aeroport u kryen plot 322 mbërritje dhe nisje avionësh.

Ky rezultat tejkalon rekordin e mëparshëm prej 318 fluturimesh, të vendosur vetëm pak javë më parë, më 22 qershor, duke konfirmuar rritjen e vazhdueshme të trafikut ajror në aeroportin më të madh të vendit.

Shifrat e publikuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil tregojnë se vetëm gjatë muajit qershor, trafiku ajror në Aeroportin e Tiranës u rrit me 34 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky ritëm është ndjeshëm më i lartë se mesatarja evropiane, e cila sipas të dhënave të Eurocontrol ishte rreth 2 për qind.

Në analizën e tij, Eurocontrol Network Manager vlerëson se si Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ashtu edhe Albcontrol kanë menaxhuar me sukses fluksin në rritje të fluturimeve. Raporti evidenton se rreth 19 për qind e vonesave kanë ardhur si pasojë e operacioneve në tokë, përfshirë shërbimet aeroportuale dhe aktivitetin e kompanive ajrore.

Përballë rritjes së vazhdueshme të kërkesës, institucionet përgjegjëse kanë rënë dakord për një paketë masash që synojnë përmirësimin e proceseve operative, forcimin e bashkëpunimit mes aktorëve të sektorit dhe zgjerimin e kapaciteteve për furnizimin me karburant.

Objektivi mbetet rritja e efikasitetit të operimeve dhe përballimi i fluksit gjithnjë në rritje të pasagjerëve, duke ruajtur në të njëjtën kohë standardet më të larta të sigurisë në aviacion.