Kanë kaluar 29 vite nga vrasja e stilistit legjendar italian, Gianni Versace. Një ngjarje që tronditi jo vetëm botën e modës, por edhe opinionin publik në mbarë globin.

Me rastin e 29-vjetorit të vrasjes, motra e tij Donatella Versace ndau një mesazh emocional në rrjetet sociale. Ajo publikoi në Instagram një fotografi bardh e zi ku shfaqet krah për krah me vëllain e saj dhe shkroi: 'Kujtimet tona të përbashkëta do të jetojnë përgjithmonë'.

Ishte data 15 korrik i vitit 1997, kur themeluesi i shtëpisë së njohur të modës, Versace, u qëllua për vdekje në shkallët e rezidencës së tij luksoze “Casa Casuarina”, në Miami Beach të Floridës.

Ai ishte vetëm 50 vjeç dhe ndodhej në kulmin e karrierës së tij. Versace ishte kthyer nga shëtitja e zakonshme e mëngjesit, kur u sulmua nga Andrew Cunanan, një vrasës serial që në atë kohë kërkohej nga autoritetet amerikane për disa vrasje të tjera. Stilisti u qëllua me armë zjarri para hyrjes së vilës së tij dhe ndërroi jetë pak më vonë në spital.

Vetëm tetë ditë pas vrasjes, Andrew Cunanan u gjet i pajetë në një varkë në Miami, ku sipas hetimeve kishte kryer vetëvrasje. Me vdekjen e tij, motivet e sakta të krimit mbetën të pazbardhura dhe çështja vazhdon të ngjallë debat edhe sot.

Humbja e Gianni Versace u konsiderua një goditje e madhe për industrinë e modës. Ai ishte një nga stilistët më novatorë të kohës, i njohur për krijimet e tij luksoze, ngjyrat e guximshme dhe bashkëpunimet me supermodelet më të famshme të viteve ’90. Emra si Naomi Campbell, Cindy Crawford, Claudia Schiffer dhe Linda Evangelista u bënë pjesë e historisë së markës që ai krijoi.