
Mira Murati rikthehet në qendër të industrisë së inteligjencës artificiale. 'Thinking Machines Lab', kompania e themeluar prej saj pas largimit nga posti i drejtoreshës teknologjike në OpenAI, ka prezantuar modelin e saj të parë të madh të inteligjencës artificiale, të quajtur Inkling.
Inkling është një model i madh dhe multimodal i inteligjencës artificiale, i aftë të analizojë tekste, fotografi dhe materiale zanore. Aktualisht, përgjigjet e modelit gjenerohen në format tekstual dhe mund të përfshijnë kode kompjuterike, të dhëna të strukturuara dhe materiale të formatuara. Ndryshe nga shumë prej modeleve më të njohura në treg, Inkling ofrohet me “pesha të hapura”. Kjo do të thotë se zhvilluesit dhe bizneset mund ta shkarkojnë, ta përshtatin dhe ta trajnojnë më tej, në varësi të nevojave dhe të dhënave të tyre.
Modeli është prezantuar nga Thinking Machines Lab si produkti i parë madhor i kompanisë në fushën e inteligjencës artificiale. Inkling do të jetë i disponueshëm për zhvilluesit dhe kompanitë që dëshirojnë ta përdorin si bazë për krijimin e sistemeve të personalizuara, të përshtatura me njohuritë dhe informacionet e tyre të brendshme. Personalizimi i tij realizohet përmes platformës Tinker, shërbimi i Thinking Machines Lab për trajnimin dhe përshtatjen e modeleve të inteligjencës artificiale.
Modeli përmban në total rreth 975 miliardë parametra, por për çdo kërkesë aktivizon vetëm rreth 41 miliardë prej tyre. Kjo teknologji, e njohur si arkitektura “mixture of experts”, synon të zvogëlojë kostot dhe të përshpejtojë përpunimin, pasi sistemi nuk ka nevojë të përdorë të gjithë kapacitetin e tij për çdo detyrë. Sipas kompanisë, Inkling është trajnuar me rreth 45 trilionë njësi të dhënash, të marra nga tekste, imazhe, audio dhe video.
Thinking Machines Lab pranon se Inkling nuk është aktualisht modeli më i fuqishëm në treg, as ndër modelet e hapura dhe as ndër ato të mbyllura. Megjithatë, kompania nuk synon ta pozicionojë vetëm si një konkurrent të drejtpërdrejtë të modeleve ekzistuese. Objektivi është që Inkling të shërbejë si një bazë teknologjike, të cilën bizneset mund ta përshtatin me të dhënat, proceset dhe njohuritë e tyre të brendshme. Me këtë qasje, Mira Murati rikthehet fuqishëm në garën globale të inteligjencës artificiale, duke sfiduar modelin e mbyllur të kompanive të mëdha dhe duke vendosur theksin te personalizimi, transparenca dhe kontrolli më i madh për përdorues.
