
Vera shpesh lidhet me ditë me diell, pushime dhe humor të mirë. Megjithatë, për disa njerëz, kjo stinë sjell të kundërtën: trishtim, ankth dhe mungesë energjie. Kjo gjendje njihet si depresioni sezonal i verës, një formë e çrregullimit afektiv sezonal (SAD). Psikologu klinik Adam Borland shpjegon pse ndodh kjo dhe si mund të menaxhohet.
Çfarë është depresioni i verës?
Depresioni i verës është një formë e depresionit sezonal, ku simptomat shfaqen gjatë pranverës ose verës dhe zbehen me ndryshimin e stinës.
Edhe pse depresioni sezonal lidhet më shpesh me dimrin, edhe temperaturat e larta, ditët më të gjata dhe ndryshimet në rutinë mund të ndikojnë negativisht te shëndeti mendor.
Pse ndodh?
Ekspertët besojnë se depresioni i verës shkaktohet nga një kombinim faktorësh biologjikë dhe mjedisorë.
Shkaqet më të zakonshme përfshijnë: temperaturat e larta të cilat mund të shkaktojnë lodhje fizike dhe mendore, probleme me gjumin, pasi ditët më të gjata mund të vonojnë orarin e fjetjes dhe të prishin ritmin natyral të organizmit, ndryshimet në rutinën e përditshme, si pushimet, udhëtimet.
Simptomat
Simptomat zakonisht shfaqen në fund të pranverës ose në fillim të verës dhe mund të përfshijnë:ankth, nervozizëm dhe irritim, pagjumësi ose vështirësi për të fjetur, shqetësim dhe ndjenjë tensioni, dhimbje koke ose migrenë, lodhje dhe mungesë energjie, mungesë motivimi, izolim social, humbje oreksi. Ndryshe nga depresioni sezonal i dimrit, ku shpesh rritet oreksi, gjatë verës është më e zakonshme ulja e tij.
Si ta përballoni?
Specialistët rekomandojnë disa hapa të thjeshtë: Mbani një rutinë të qëndrueshme, duke fjetur dhe u zgjuar në të njëjtën orë, monitoroni humorin tuaj, duke mbajtur shënime për ndryshimet emocionale dhe situatat që i shkaktojnë ato, qëndroni në ambiente të freskëta, sidomos gjatë orëve më të nxehta të ditës, kufizoni kohën në rrjetet sociale.
Kur duhet të kërkoni ndihmë?
Nëse trishtimi, ankthi ose mungesa e energjisë ndikojnë në punë, marrëdhënie apo aktivitetet e përditshme, është e rëndësishme të konsultoheni me një profesionist të shëndetit mendor.
Depresioni sezonal është një gjendje reale dhe e trajtueshme. Psikoterapia, medikamentet dhe ndryshimet në stilin e jetesës mund të ndihmojnë në përmirësimin e simptomave.
