Pas ditëve përvëluese, moti mori një tjetër kthesë mbrëmjen e së martës. Në disa qytete përfshirë Tiranën, Fierin, Sarandën, Vlorën e Kukësin janë rikthyer reshjet e shiut dhe stuhi të forta ere.

Në Kukës erërat e forta kanë shkaktuar problem në disa fshatra, kryesisht sa i përket furnizimit me energji elektrike. 

Nga stuhia që zgjati vetëm 10 minuta në qytetin bregdetar të Vlorës u rrëzuan pemë, u dëmtuan tendat e karriget e lokaleve si dhe çadrat e vendosura në plazhe. Ndërkohë disa nga karriget e lokaleve në zonën e Lungomares 'fluturuan' nga era e fortë në rrugën kryesore.

Stuhia duket se ka qenë më e fortë në qytetin bregdetar të Sarandës, ku era e fortë ka rrëzuar disa pemë në mes të bulevardit, por pa shkaktuar dëme në njerëz. Ndërkohë, tre automjete janë dëmtuar si pasojë e rrëzimit të një pishe në zonën e stadiumit.

Një punonjës i OSHEE-së ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë një ndërhyrjeje për riparimin e një defekti në rrjetin elektrik në zonën e Himarës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, në një kohë kur moti i keq dhe erërat e forta kishin shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të Himarës.

Viktima është një 54-vjeçar nga Elbasani, i cili ishte dërguar për të ndihmuar ekipet lokale të OSHEE-së në rikthimin e energjisë.