As agjërim ndëshkues dhe aq më pak fiksimi për të “rregulluar dëmin” një ditë pas një aperitivi të bollshëm.

Në fund të fundit, pushimet dhe ditët e kaluara jashtë janë bërë për t’u shijuar plotësisht. T’i lejosh vetes ndonjë ushqim më shumë nuk është aspak tragjedi. Përkundrazi, është pjesë e kënaqësisë së të qëndruarit me të tjerët dhe ndikon pozitivisht edhe në humor.

Sekreti i vërtetë për të menaxhuar teprimet e verës nuk qëndron te shmangia e tyre, por te aftësia për të balancuar lirshmërinë e atij momenti me disa zakone të vogla të përditshme, pa stres dhe pa ndjenja faji.

Megjithatë, në përpjekje për të kompensuar atë që kemi ngrënë apo pirë, shpesh rrezikojmë të biem në zakone që japin efektin e kundërt.

“Gabimi më i zakonshëm është të kapërcesh mëngjesin ose drekën e ditës pasuese, me bindjen se në këtë mënyrë po kompenson kaloritë e tepërta”, shpjegon Eleonora Bruno, biologe nutricioniste në MioDottore.it.

Sipas saj, kjo sjell ulje të nivelit të sheqerit në gjak, shton urinë nervore dhe shpesh çon në konsumimin e një sasie edhe më të madhe ushqimi gjatë darkës.

Një tjetër gabim klasik është mbështetja te agjërimet e improvizuara ose te pijet e ashtuquajtura “drenuese”, të cilat nuk kanë ndonjë efekt real mbi metabolizmin.

Edhe heqja e plotë e karbohidrateve për një ditë të tërë është kundërproduktive.

“Trupi thjesht duhet të rikthehet në ritmin e tij, jo të ndëshkohet”, përfundon nutricionistja.