Pavarësisht nëse filmi i Nolan ju ka pëlqyer apo jo, ai vazhdon të mbetet një nga temat më të diskutuara të verës. Mua më pëlqeu mjaftueshëm, por jo aq sa podkasti ku Luca Misculin lexon dhe rrëfen librin e parë të Odisesë, shumë më mirë sesa na e shpjegonin në shkollë.

Filmi është një arsye e mirë për t’iu rikthyer një libri dhe një periudhe të jetës që pothuajse të gjithë e kemi përjetuar, duke qenë se Shqipëria është ndër të paktat vende ku Odisea nis të studiohet në arsimin e detyrueshëm, që në moshën 11-vjeçare.

Që atëherë isha në anën e Odiseut dhe do të doja të isha si ai, jo për të luftuar, por për të udhëtuar, për të drejtuar anijen time, për të përshkuar botën dhe për të mbledhur aventura.

Durimi i Penelopës ishte virtyti që më mungonte më shumë. Të prisje dikë ose diçka për 20 vjet më dukej një perspektivë e pakuptimtë, edhe pse më vonë kuptova se mua m’u desh edhe më shumë kohë për të pritur dhe për të gjetur veten. Por kjo është një histori tjetër.

Mes grave të Odisesë, simpatizoja Circen. Jo aq shumë sepse i shndërronte burrat në derra, edhe pse me shoqet qeshnim me këtë pjesë, por sepse ishte e lirë, e fuqishme dhe e pavarur.

Më vinte keq për Kalipson, e detyruar të linte të largohej burrin që dashuronte, ndërsa sirenat më frikësonin. Ato janë tepër të rrezikshme edhe sot, kur këndojnë nga ekranet e pajisjeve tona gjëra për të cilat do të duhej t’i mbyllnim veshët me dyllë.

Helena më bezdiste, edhe pse e kuptoja që atëherë se nuk ishte faji i saj nëse burrat bënin luftë duke përdorur emrin e saj si pretekst.

Në të vërtetë, isha një nga ato pak vajza që nuk magjepseshin nga mitologjia. Zotat dhe perëndeshat, me tekat dhe hakmarrjet e tyre, nuk më emociononin aq sa jetimët e Twain dhe Dickens, aq të papërsosur, njerëzorë dhe të gjallë.

Ndoshta sepse heronjtë e lashtë, edhe pse madhështorë, më janë dukur gjithmonë si të burgosur të fatit të tyre. Ndërsa Huckleberry, David dhe Tom gabonin, gënjenin, arratiseshin dhe e shpiknin vetë jetën e tyre.

Megjithatë, në fund, edhe Odiseu është njëri prej nesh: një njeri që humbet rrugën, por që, pavarësisht gjithçkaje, vazhdon të kërkojë.

Vanity Fair