Robert Aliaj u bë personazhi i ditës së sotme, pas largimit nga juria mbrëmjen e shtatë të spektaklit "Dance with me". Rasti i mbrëmshëm ishte një rast tipik që shërben për të reflektuar, sipas tij, për vlerat morale dhe shoqërore që duhet t’i injektojmë shoqërisë sonë. Spektakle të tilla si “Dance with me”, me përmasa audience të mëdha, duhet të përçojnë te spektatori vetëm argëtim dhe dialog me vlera. Ja si e quan ai reagimin e tij dhe vlerësimin e programit me sytë e publikut:
Robert, pse vendose të braktisësh tavolinën e jurisë së “Dance with me” dhe ta ndjekësh spektaklin nga televizori?
Që në episodin e parë kam kërkuar publikisht që skena e “Dance with me” të shfrytëzohej për të ndërtuar një dialog kulturor mes artistësh, një dialog me vlera publike. E ofron kjo platformë këtë mundësi. Është një format sa miqësor, aq edhe familjar, ku mund të shkarkohet dashuri pafund, humor mbi të gjitha, por jo banalitet. Nuk po shfrytëzohet kjo mundësi. Ne jemi pothuajse të gjithë prindër dhe nuk duhet të harrojmë që ndiqemi masivisht nga familjet shqiptare. Në këtë kontekst, dua t’i krijoj një barrierë të fortë vulgaritetit. E përditshmja e teleshikuesve tanë është e ngarkuar me strese e vështirësi të panumërta dhe ata, me të drejtë, mbështeten tek media, me besimin qe ajo do t’i sigurojë një arratisje të çastit nga gërryerja erozive e realitetit të dhimbshëm. Paqartësitë dhe mungesa e kultivimit të artistëve dhe e idhujve të tyre nuk duhet të kthehet në një eksperiencë zvarritëse për teleshikuesit. Në kohën e internetit dhe smartfoneve, disponueshmëria e kudogjendur e përmbajtjes dhe komunikimit, shpeshherë banal, duket që po bëhet barrë, akoma më stresuese, aspak zbavitëse dhe pa impakt pozitiv në gjendjen e tyre emocionale. Rreziku me këtë lloj zbavitjeje “Low-Brow” do t’i bëjë njerëzit të ndihen fajtorë që na ndjekin dhe ta perceptojnë televizionin si një stress-reliever. Braktisja ime mund të perceptohet edhe si trill i imi për të eksperimentuar dhe përjetuar atë që ndjejnë teleshikuesit me “Dance with me”. Tjetër gjë është në skenë, dhe tjetër gjë është ekrani. Duke e konsideruar ekranin si një filtër mbrojtës, mua m’u dha mundësia të krijoj një raport të akullt me personazhet, t’i injoroj lajthitjet e tyre.
Çfarë ndjesie more nga televizioni?
Do dëshiroja ta shikoja vazhdimin e spektaklit në një kafe ose internet shop, por do të ishte e pamundur ta ndiqja dhe të isha i përfshirë njëkohësisht. Desha ta jap vlerësimin tim. Për këtë arsye qëndrova në një nga zyrat tona të produksionit.
Javën tjetër do ta ndjekësh përsëri nga televizori apo do të jesh në vendin tënd?
Unë kam dy kontrata për të respektuar: njërën (morale kjo) karshi televizionit dhe produksionit, dhe tjetrën karshi meje, si njeri me përgjegjshmëri dhe integritet.
Ka diçka që nuk shkon me Ceken dhe Markelën, pse u largove pikërisht te kërcimi tyre?
Asgjë personale nuk kam me askënd. Une jam profesionist. Duhen kuptuar drejt marrëdhëniet profesionale, duhet bërë dallimi me ato afeksionale. Në skenë, unë kam një detyrim dhe një mision si artist dhe si qytetar. Në një spektakël me përmasa masive, ky mision mund të korruptohet dhe të devijojë, gjë që nuk mund ta toleroj. Të gjithë personazheve u kam kërkuar që të projektohen denjësisht para publikut. E përsëris që për ata është një rast unik. Përfitoni, harrojini pikët!