Pak para se të prezantonte krijimin e tij të fundit në Kënga Magjike të dielën e shkuar, ndër të parat që i uroi suksese Stines ishte Roza, partnerja e tij në “Dance with me”. Dedikimi i saj (këtu) filloi të krijojë dyshimet e para, por më pas jo më pak dyshime krijoi edhe teksti i këngës që Stine kishte shkruar. Mbrëmjen e së hënës në “Dance with me”, Stine nuk mund të shpëtonte paq, pa shpjeguar ç’ishte ai tekst, kujt i dedikohej, a kishte ndonjë person special pas atij teksti - pyetje që iu bënë nga moderatorja Alketa Vejsiu, por Stine nuk pranoi asgjë… “Ajo këngë u kushtohet të gjitha çifteve simpatike, kudo ndodhen”,- u përgjigj modestisht ai. Por ndërsa Alketa lexon një copëz teksti: “… nga buzëqeshja jote mbushen dete, male, fusha plot dashni/ bukuria jote shkriu borën, doli dielli, s'ka më shi/ nga KËRCIMI jot unë e kuptova/ e kuptova edhe pikë/ ishim një, u bëmë dy, jemi çifti simpatik”, Stine i kujton pjesën tjetër: “Nuk mjafton një party/ as pijet dhe lëvizjet që marrim/ mendjen kur dëfrejmë edhe dalim / të mësohen të dy se si kërcejnë…” duke mohuar kështu të gjithë zërat që kishin menduar se ai tekst ishte shkruar për Rozën. Megjithatë, kantautori pohoi se frymëzimi i kishte lindur nga ky spektakël kërcimi dhe, ashtu siç kishte premtuar, që këngën e ardhshme do ta titullonte “Çifti simpatik”, e kishte mbajtur fjalën.

Po Roza ndërkohë? Pasi kënga transmetohet për disa sekonda në DWM, ajo vijon të kërcejë pa e pasur mendjen te diskutimi “kujt iu dedikua kënga”, por natyrisht, tha se e kishte pëlqyer shumë këngën dhe se i uron shumë suksese partnerit të saj, pse jo edhe çmim në Këngën Magjike.