Ish-konkurrenti i edicionit të dytë të “Big Brother Albania” rrezikon të dënohet  me tetë vjet burg për mashtrim. Po flasim për Elton Tozajn, i cili pas pjesëmarrjes në realityshoë u shndërrua n një personazh televiziv.

Djali nga Tirana është vënë nën akuzë prej disa muajsh, ndërsa tani është duke u përballur me një proces gjyqësor kundër tij. Tozaj, sipas Prokurorisë prezantohej si punonjës i Bashkisë së Tiranës dhe i Ministrisë së Brendshme, ndërsa mashtronte qytetarët, duke u rrëmbyer disa shuma parash.

E ndërsa mashtrimet ishin kryesisht për kredi të buta në Bashki, veç të tjerave Prokuroria pretendon se Elton Tozaj ka dhënë me qira një nga vilat e Enver Hoxhës, vilën 31. Në fakt, nëpërmjet mashtrimit, sipas gazetës “Panorama”,  ish-banori i “Big Brother” i kishte premtuar një biznesmeni se mund t’i jepte me qira vilën, kundrejt pagesës 3 dollarë metri katror, ndërsa kishte marrë një shumë prej 7 mijë dollarësh nga biznesmeni, si dhe 5 mijë euro. 

Për të arritur synimet e tij, sipas Prokurorisë, Tozaj falsifikonte firmën e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.