Mjeku anestezist Tefik Zhurda, që tentoi të vriste veten pas vdekjes së papritur të pacientes 16-vjeçare Blerta Pepa, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën, ndaj sot është dërguar për kurim të specializuar në Peruxhia.
Mjeku anestezist Zhurda mori një dozë të lartë anestezie pas vdekjes së papritur pas një operacioni në gju të Blerta Pepës. Spitali Continental ku Blerta ndërroi jetë nuk e fajësoi mjekun, por tha se vajza kishte vdekur prej një komplikacioni të rrallë.
Pak ditë më parë, në një deklaratë për mediat, lidhur me gjendjen shëndetësore të Zhurdës, mjekët u shprehën se gjendja ishte ende e rënduar dhe se mjeku ende nuk ka dalë nga gjendja e komës. Ata shtuan se kolegu i tyre ka nevojë që të marrë një shërbim shëndetësor jashtë vendit, pasi sasia e narkozës që Zhurda ka injektuar në trup ka qenë mjaft e lartë dhe kjo ka bërë që ai të luftojë me jetën. “Është një situatë shumë e vështirë. Mjeku ka nevojë për një trajtim jashtë vendit, që situata e tij mund të normalizohet. Ende nuk ka dalë nga gjendja e komës dhe vijon të luftojë me jetën e tij”, u shprehën mjekët në Spitalin e Traumës.
Mjeku anestezist Tefik Zhurda, 53 vjeç, i injektoi vetes një sasi të konsiderueshme narkoze pasi mësoi që 15-vjeçarja ndërroi jetë pas operacionit në gju. Mësohet se në gjendje të rënduar psikologjike dhe shoku, Zhurda është futur në një nga sallat e spitalit privat “Continental” aty ku edhe punonte dhe ka tentuar vetëflijimin. Por, veprimi i tij është kuptuar nga kolegët e tij, të cilët arritën ta mbanin në jetë.