Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Vlorës pasditen e sotme. Një vrasje me armë i ka marrë jetën një funksionari të një institucioni të rëndësishëm. Kreu i OSHEE-së së qytetit, Roland Saliu, ka mbetur i vrarë pas një atentati në një lokal në Sheshin e Flamurit. Por edhe një person tjetër, i cili u qëllua krejt rastësisht ka ndërruar jetë në spital pas plagëve të marra. Mësohet se ai është Erven Hyseni, një biznesmen.

Nga të dhënat e para, mësohet se Saliu ishte ulur në tavolinën e fundit jashtë lokalit, kur plumbat e një kallashnikovi e kanë prekur në organet jetësore, duke e lënë të vdekur në vend.

Dëshmitarët e ngjarjes thonë se në vendngjarje ka pasur një situatë shumë të renduar, njerëz të frikësuar duke bërtitur e ulëritur.

Informacioni paraprak nga Policia e Vlorës:

Rreth orës 19:40, në “Sheshin e Flamurit” Vlorë është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një lokali. Për pasojë kanë mbetur të vdekur 2 shtetas: 1­ R.S., Drejtor i OSHEE­-së 2­ E.H., i cili ka ndërruar jetë disa minuta më pas në Spitalin Rajonal Vlorë. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pranë një lokali aty pranë sheshit, ku autorët pasi kanë qëlluar me armë zjarri të dyshuar “Automatik” janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Po punohet për zbulimin e gjeneraliteteve të plota të viktimave. Policia ka ngritur pika kontrolli në qytet, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer veprimet e mëtejshme procedurale.