Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur paraditen e sotme dhe ka njoftuar se nuk do të ketë ndryshim masash, por do të vazhdojnë të jenë në fuqi masat aktuale. Zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli u shpreh se situata është delikate, megjithatë deri tani është nën kontroll, pasi shifrat tregojnë qëndrueshmëri me tendencë uljeje.

“Situata vazhdon të mbetet delikate, që duhet të monitorohet me shumë vëmendje, por shifrat tregojnë qëndrueshmëri, në ditët e fundit të javës që mbyllim kemi tendencë ulje që presim ta vlerësojmë a do vazhdojë të mbetet e tillë. Kem tendencë ulje të indikatorit R, që është 0.5. Konkluzioni është që masat të cilat u propozuan dy javë më parë kanë dhënë efektin e tyre, prandaj do vazhdojmë të mbetemi aty duke vlerësuar në vijimësi efikasitetin,” –tha Rakacolli.

Me pak fjalë, edhe për dy javët e ardhshme, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të nisë nga ora 20:00 deri në orën 06:00. Baret dhe restorantet do të mbyllen në këtë fashë orari.

Universitetet do të vazhdojnë online, gjithashtu edhe shkollat e mesme në zonat e kuqe (ku përfshihen bashkitë Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz).

Ndërsa fluturimet me Britaninë e Madhe do të vijojnë të jenë të pezulluara.