Varianti Delta ka mbërritur edhe në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë së ka konfirmuar dje dy rastet e para me variantin indian. Ministria bëri me dije se 22 mostra janë dërguar për analizim në Berlin dhe 2 prej tyre kanë rezultuar pozitive, megjithatë ka shtuar se të personat e prekur tanimë janë të shëruar.

“Të dy rastet kanë shfaqur simptoma, mirëpo tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi. Izolimi i tyre ka përfunduar. Ekipet e IKSHPK-së tashmë kanë gjurmuar të gjitha burimet dhe kontaktet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve”, thuhet në deklaratë.

Varianti Delta u zbulua për herë të parë në Indi në dhjetor të vitit 2020 dhe konsiderohet si një nga variantet më të rrezikshëm dhe me transmetueshmëri më të lartë.