Shefik Hyseni është një shqiptar që jeton në Gjermani, në zonat e goditura nga përmbytjet. Ai kishte humbur kontaktet me dy vajzat e tij, 13 dhe 17 vjeçe, për orë të tëra dhe nuk e dinte nëse ishin gjallë.
46-vjeçari kishte frikë për jetën e Lauretës dhe Altunës dhe nuk kishte asnjë ide se çfarë kishte ndodhur me to.
"Të mërkurën në mbrëmje vajzat e mia më telefonuan dhe thanë se uji kishte hyrë në katin e parë," -ka thënë Hyseni për median gjermane BILD.
Më pas, vrapoi menjëherë për në shtëpi, por kur arriti uji ishte tashmë kudo!
“Hera e fundit që fola me to ishte rreth orës 21:00. Pastaj s’pata më kontakt", -tregoi ai.
I dëshpëruar, babai shqiptar e kaloi gjithë natën në një urë nga e cila mund të shihte shtëpinë e tij. Derisa dje, në orën 5.30 pasdite, mori lajmin e madh se vajzat e tij ishin shpëtuar me helikopter nga shtëpia e përmbytur.
“Ne vetëm kemi qarë. Tani duhet vetëm të shohim se çfarë ka mbetur nga shtëpia", -kanë qenë fjalët e tij.