Modelja e njohur gjermane Heidi Klum ka bërë një rrëfim të sinqertë për mënyrën se si bashkëshorti i saj, Tom Kaulitz, e ndihmoi të ndryshonte raportin me trupin e saj, pas viteve të tëra presioni dhe kritikash në industrinë e modës.

Ylli 53-vjeçar, e martuar me muzikantin e grupit Tokio Hotel që prej vitit 2019, tregoi në një intervistë për Us Weekly se ishte pikërisht Tom ai që e bindi se nuk kishte nevojë të ishte tepër e dobët për t’u dukur bukur.

'Me kalimin e viteve, besoj se dukemi më mirë kur nuk jemi tepër të dobëta. Bashkëshorti im ishte i pari që ma tha këtë. Ai më tha: ‘Duhet të hash më shumë. Do të dukeshe më mirë nëse do të kishe pak më shumë mish në kocka’, rrëfeu Klum.

Sipas saj, një këshillë e tillë është thuajse e paimagjinueshme në botën e modës, ku modelet përballen vazhdimisht me pritshmëri të larta për të qenë sa më të holla.

'Kjo nuk është diçka që të thonë ndonjëherë në këtë industri, sepse gjithmonë pritet të jesh më e dobët se sa je në të vërtetë', u shpreh ajo.

Heidi tha se sot, kur sheh fotografitë e viteve të kaluara, e kupton se bashkëshorti kishte të drejtë. 'Kur i shikoj fotot e mia të mëparshme, mendoj: ‘Ai kishte të drejtë’. Përmasat e trupit tim duken më bukur kur jam pak më e mbushur', tha ajo.

Modelja theksoi gjithashtu se nuk ka asnjë dëshirë të përdorë medikamente për humbje peshe, si Ozempic.