Rihanna ka surprizuar mijëra fansa me një dalje të rrallë në skenë, duke iu bashkuar Jay-Z gjatë natës së fundit të serisë së koncerteve “Extra Innings” në Yankee Stadium, në Nju Jork.

Artistja u shfaq përpara një publiku prej mbi 40 mijë personash dhe interpretoi hitin e saj “Bitch Better Have My Money”, si dhe bashkëpunimin e famshëm me Jay-Z, “Run This Town”. Videot e momentit u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, ndërsa publiku u dëgjua duke kënduar njëzëri me këngëtaren.

Gjatë performancës, Rihanna pranoi se i kishte munguar skena, duke emocionuar fansat që prej kohësh prisnin ta shihnin sërish duke performuar live. Koncerti përmbyllës nisi me disa orë vonesë, për shkak të problemeve me hyrjen e spektatorëve në stadium. Jay-Z shpjegoi se organizatorët kishin vendosur të prisnin derisa situata të ishte e sigurt, pasi mijëra njerëz ndodheshin ende jashtë ambienteve të stadiumit.

Pavarësisht vonesës, reperi dhuroi një spektakël që zgjati pothuajse tri orë, duke interpretuar rreth 50 këngë nga periudha të ndryshme të karrierës së tij. Në skenë u ngjitën gjithashtu disa prej emrave më të mëdhenj të industrisë muzikore, mes tyre Beyoncé, Usher, Pharrell Williams, Teyana Taylor, Clipse, Jeezy, Fat Joe, Jadakiss, Swizz Beatz dhe The-Dream.