Kjo sfilatë mode është e para e mbajtur në Kiev që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Stilistë dhe dizajner u bënë bashkë për të prezantuar koleksionet e tyre më të fundit për sezonin pranverë-verë 2025.
Ata janë të vetëdijshëm se nuk kishin si t’i shpëtonin temës së luftës në krijimet e tyre.
“Tema e luftës u pasqyrua përmes komponentit të brendshëm. Ne tregojmë për dhimbjen e njerëzve, dhimbjen e grave, sepse koleksioni ynë ka të bëjë me to. Ne kemi veshje femrash ku reflektojmë për këto ngjarje”.
Stilistët thonë se nisja e aktivitetit të tyre nuk ka në fokus të parë sfilatën e modës, por kontributin në ekonominë e vendit. Aktiviteti pati një interes të shtuar të publikut që e mbështeti iniciativën edhe pse sirenat e alarmit për sulme ajrore kanë qenë të shumta ditët e fundit.