Ambienti rreth e rrotull, krejtësisht i bardhë. Gjithçka që të kap syri më një vështrim të shpejtë të duket magjike dhe perfekte. Lulet natyrale në tavolinat e të ftuarëve kanë nisur të parat vallen nga flladi i lehtë që vjen nga bregu e ka nisur të fryjë muzgun. Stafi, në minutat e fundit, rregullon ndonjë gjë të mbetur. Mysafirët e parë kanë nisur të vijnë e, në të kundërt me ta, punonjësit e sallës së madhe nisin të fshihen…. Gjithçka duket gati. Ndonjë karrige e fundit a një mbulesë dhe merr fund. Pas pak minutash, dëgjohet kërcitja e një çelësi. Ndizen dritat….  

Të krijosh një "tavan" me drita vezulluese, shumëngjyrëshe, për të pasqyruar qiellin e një nate me yje mund të duket gjëja më e thjeshtë për ne që jemi të ftuar në një ceremoni martese. Madje, shumë herë më e thjeshtë sesa vendimi ynë për të zgjedhur fustanin që duhet të veshim në një dasmë (kisha tre muaj që mendoja se çfarë do të vishja), por në fakt nuk është kështu. Asgjë nuk do të dukej perfekte, përrallore, nëse edhe ndriçimi nuk do ishte në nivelin e duhur. Sepse, nëse në vend të çiftit, në vallëzimin e parë, ndriçimi do të shkonte në një tavolinë tjetër, kjo do të mbahej mend nga të gjithë të ftuarit. Megjithatë, roli i dritave nuk është kaq bazik, përkundrazi. Vitet e fundit, ndriçimi është parë jo vetëm si një element mjaft i rëndësishëm për t’i dhënë festës vëmendjen e duhur, por edhe si një dekor perfekt për sfondin e fotografive që do të regjistrohen përgjithmonë nga çifti protagonist.

Sa të lehta, të pastra dhe të çelura janë dritat e dasmave të pranverë – verës, aq të forta e dramatike bëhen ato të sezonit vjeshtë – dimër. Sigurisht, gjithmonë në varësi të kërkesës kryesore të çiftit, por edhe të specialistëve, dekorit dhe konceptit kryesor të dasmës.

Prej vitesh, ceremonitë e martesave organizohen nga një staf i gjerë, i cili koncepton, projekton dhe zbaton çdo detaj të tematikës themelore të festës me shumë kujdes. Qofshin me elementë klasikë, qofshin me elementë modernë, dasmat e kohëve tona kanë një aset shumë të rëndësishëm si ndriçimi, që i jep dritë jetës së re që nis pas kësaj dite…

Ergys Penxha, menaxher në një kompani ndriçimi, rrëfeu për Class, rolin që ka ndriçimi në dasmat e ditëve tona, sidomos ato të sezonit të vjeshtës – që regjistron edhe numrin më të madh të ceremonive të dasmave.

Sipas Ergysit, ndriçimi krijon gjendje në një ceremoni martese dhe kjo tashmë është e ndjeshme nga të gjithë. Kush nuk emocionohet, nuk ndihet romantik apo nuk bën një “ohh” sa herë shikon një dritëz të kuqe që vjen nga tavolina e çiftit, shpërndahet me kujdes në të gjithë sallën e “prek” të gjithë të ftuarit? Filloi gjendja të depërtojë edhe tek ju tani?

Cili është roli i ndriçimit në një ceremoni martese? Sa e vlerëson efektin e dritave një çift që po martohet?

Roli i ndriçimit është bërë i domosdoshëm nëpër dasma. Jo vetëm për faktin sepse krijon një gjendje të jashtëzakonshme në sallë, mes të ftuarëve dhe çiftit, por edhe sepse duket se ndërton një “urë lidhëse” mes tematikës dhe çdo detaji personal të nuses dhe dhëndrit.

Vlerësimi i ndriçimit nga çifti varet tërësisht nga ata, sepse ndriçimi është i lidhur ngushtë me muzikën. Gjatë organizimit të darkës, p.sh., një çift që ka zgjedhur një repertor të caktuar, ka menduar edhe cili mund të jetë ndriçimi sipas rastit. Veç faktit që është në shërbim të dekorit, sepse thekson ngjyrat dhe i bën ato më të dukshme, ndriçimi njëkohësisht i jep edhe vlerë tjetër festës.

A kanë dëshira “të çuditshme” për ndriçimin/dritat çiftet që do të martohen? Cilat janë?

Zakonisht, çiftet përcaktojnë ndonjë ngjyrë specifike që kanë dëshirë. Nuset, kuptohet, janë ato që ndërhyjnë më shumë në këtë pjesë. Kërkesë të veçantë kanë për “follow spot”, duan të jenë vetëm ata të ndriçuar dhe pjesa tjetër e sallës në errësirë. Gjatë momentit që hyn çifti, në vallëzimin e tyre të parë apo momente të tjera, ndriçimi duhet të jetë i fokusuar diku për të theksuar atë element më shumë se të tjerët.

Dasmat e vjeshtës kanë ndonjë karakteristikë specifike sa i përket ndriçimit?

Në përshtatje edhe me sezonin. Ngjyra, zakonisht është specifike dhe shërben për të krijuar një ambient romantik. Në vjeshtë, ndriçimi është paksa më i ulët në sallë, i bardhë, dhe më i fortë në vendin e çiftit.

Nëse nusja dhe dhëndri thonë “duam një dasmë me detaje shumë romantike”, cila është ngjyra e parë që ju vjen për ta ndriçuar ambientin?

Çiftet, zakonisht kanë besim në shërbimin që u ofrojmë, edhe sepse ne i mbajmë gjithmonë parasysh kërkesat e tyre. Ngjyrat janë pothuaj të gjitha të preferuara, nuk ka ndonjë përkufizim apo përjashtim për to. I vetmi përjashtim, ndoshta, është ngjyra jeshile, e cila përdoret shumë rrallë, për të mos thënë nuk përdoret fare.

A duhet të jetë gjithmonë në harmoni ndriçimi me dekorin?

Sigurisht, janë si një simbiozë që plotësojnë njëri-tjetrin. Ndriçimi ka detaje të pafundme, çdo dekor ka një gamë të gjerë dritash që e bëjnë të duket mahnitës. Nuk duhet harruar se çdo dekor është specifik, sepse çdo ndriçim special e bën edhe më të bukur ambientin rreth e rrotull. Sigurisht, edhe stili i zgjedhur ka një rëndësi të madhe – ndriçimi është edhe në përshtatje të tij.

Cili është momenti kyç, gjatë të cilit dritat kanë rolin kryesor në ceremoninë e martesës?

Momentet kyçe janë hyrja e çiftit, prerja e tortës, ndonjë numër special gjatë natës, si numër me flakë, vioina, violonçeli, vallet indiane, vallet popullore etj. Faktor shumë i rëndësishëm i dasmës janë të ftuarit që vijnë me dëshirë në një ceremoni të tillë, por edhe muzika që ngre më lart atmosferën.

A besojnë çiftet (në përgjithësi, nga kontaktaktet tuaja) në fuqinë e dritave?

Absolutisht! Në çdo kohë…..